
Deçiq ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e tij, duke fituar Kupën e Malit të Zi pas fitores minimale 1:0 ndaj Mornarit në finalen e zhvilluar në Nikshiq. Goli vendimtar u shënua nga Kajević në minutën e 23-të, duke i dhënë ekipit nga Tuzi trofeun e dytë në histori.
Ky triumf jo vetëm që forcon pozitat e Deçiqit në skenën vendase, por edhe i garanton pjesëmarrjen në arenën evropiane, konkretisht në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Pas titullit kampion të fituar një vit më parë, ky është suksesi i dytë radhazi për klubin shqiptar të Tuzit.
Megjithatë, arritjet sportive janë shoqëruar edhe me polemika jashtë fushe. Ndryshimi i ngjyrave të fanellës nga blu e bardhë në kuqezi ka shkaktuar reagime të ashpra dhe tensione në opinionin publik malazez, duke e vendosur Deçiqin në qendër të vëmendjes jo vetëm për rezultatet, por edhe për mesazhin simbolik që përcjell.