
Reshjet e borës kanë nisur në zonën malore të Dukagjinit, duke sjellë një dimër të parakohshëm, por rrugët mbeten të hapura dhe të kalueshme.
Aksi Shkodër–Theth nuk është prekur ende nga bora, ndërsa majat e larta të maleve dhe një shtresë e hollë mbi pemë janë zbardhur nga dëbora. Automjetet e firmave nënkontraktore janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast përkeqësimi të motit.
Edhe rruga e Vermoshit në Malësinë e Madhe është e hapur dhe nuk ka reshje bore, ndërsa në majat e maleve bora ka mbuluar terrenin pa shkaktuar probleme në akset rrugore.
Reshjet e para të dëborës kanë prekur gjithashtu zonat malore të Kukësit. Ato nisën pas mesnate dhe vazhdojnë me intensitet të ulët, duke krijuar një shtresë deri në 15 centimetra.
Kushtet e motit dhe dëbora kanë ulur ndjeshëm temperaturat, të cilat shkojnë nga 0 deri në 3 gradë Celsius. Në disa fshatra të njësisë administrative Shishtavec është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa mjetet borëpastruese janë në terren për të mbajtur rrugët të qarkullueshme dhe pa pengesa.