Këshilli bashkiak i Korçës ka miratuar buxhetin vjetor për vitin 2025 me 25 vota pro, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim.
Buxheti i Bashkisë Korçë për vitin 2025 do të jetë 2,470,018 mijë lekë, ndërsa 46,9 % do të shkojnë për paga, 40,7 % për shpenzime operative dhe gati 12% shkojnë për investime.
Për kreun e bashkisë së Korçës ky buxhet fokusohet në 4 shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik që janë turizmi bujqësia teknologjia dhe edukimi.
Në mbledhje nuk munguan as debatet dhe kundërshtimet e këshilltarëve të opozitës të cilët e konsideruan këtë buxhet si aspak serioz dhe të orientuar politikisht.
Ata e konsideruan të dyshimtë këtë buxhet bazuar në parashikimin e të ardhurave që pritet të sigurohen gjatë vitit 2025 të bërë nga ekzekutivi çka sipas tyre rrezikon investimet e premtuara duke ngritur akuza të shumta për mënyrën sesi shpenzohen paratë e kësaj bashkie.
Mbledhja u shoqërua edhe me akuza të ndërsjellta mes këshilltarëve të maxhorancës dhe opozitës që pretenduan se çdo argument apo diskutim kishte nëntekst politik për shkak të zgjedhjeve të ardhshme elektorale
Mes kërkesave për ndryshime në buxhetin e vitit 2025 u arrit të dakordësohet për të reflektuar vetëm dy ndryshime njëri prej të cilëve dyfishimi i fondit të parashikuar për kafshët e rrugës si dhe rishikimi i njërit prej projekteve artistike të propozuara./oranews