Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla duke iu përgjigjur deklaratave të kryetares Jorida Tabaku për procesin dhe mbledhjen e kuvendit me legjislaturën e vjetër pas 11 majit, i quajti këto zgjedhje, më të mirat në 30 vjet në Shqipëri. Zgjedhjet ishin historike prej pjesëmarrjes së diasporës. Tabaku e cilësoi si “të çuditshme” mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit pas përfundimit të zgjedhjeve.

Në përgjigje, Balla theksoi se nuk ka asgjë të pazakontë në vijimin e punimeve të Kuvendit, duke sjellë si shembull Gjermaninë dhe Bundestagun, ku mandati i legjislaturës së re fillon kur përfundon ai i mëparshmi.

“Zonja kryetare, humbja nuk është e pëlqyeshme, ndërsa fitorja është përgjegjësi edhe më e madhe. Ndoshta jeni pak më e re në politikë, por këto ishin zgjedhjet më të mira që ka zhvilluar Shqipëria. Për herë të parë, morën pjesë mbi 200 mijë bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit dhe që shprehën qartë vullnetin e tyre për drejtimin që duhet të marrë vendi. Të dalim nga retorika politike e njëjtë individuale e një personi të caktuar, i cili nuk ka pranuar asnjë rezultat zgjedhjesh në këto 20 e kusur vite,” deklaroi Balla.

Balla akuzoi përfaqësues të opozitës për dërgimin e letrave në instanca ndërkombëtare me qëllim bllokimin e procesit të anëtarësimit në BE.
“Dhe mos ta përdorim foltoren konsensuale të Kuvendit të Shqipërisë për retorikën politike të ditës, por Komisioni për Çështjet Europiane meriton vlerësim maksimal sa i përket mbështetjes që ka dhënë agjendës integruese të vendit tonë. Dhe sot, këtu jam para këtij komisioni të nderuar pikërisht për ta ndarë me ju rëndësinë e miratimit të kësaj marrëveshjeje, por edhe rëndësinë e momentit. Në këtë këndvështrim, është e turpshme për partinë që ju përfaqësoni të dërgoni letra lart e poshtë, ku kërkoni kushtëzimin apo bllokimin e negociatave me Shqipërinë sa i përket anëtarësimit, për hallet personale të një individi i cili ka marrë peng partinë që përfaqësoni.”

Përplasja verbale vijoi me kundërshtitë e kryetares së komisionit që përfaqëson opozitën, e cila i doli në mbrojtje shefit të saj që nuk ishte i pranishëm në sallë sipas saj.

Balla: “Patjetër, thirreni dhe personin që nuk mbron dot veten.”
Tabaku: “Patjetër, shkoni dhe debatoni atje në parlament.”
Balla: “Ai është duke u mbrojtur para drejtësisë në momentin që po flasim.”

Nga ana e tij, Balla bëri një deklaratë ambicioze për të ardhmen europiane të Shqipërisë:

“Të jeni të sigurt se brenda këtij muaji do të hapim të gjithë kapitujt e marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe po aq të sigurt të jeni se brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, nëse ju do të vazhdoni të jeni kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane, do të jemi këtu për të raportuar për mbylljen e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këtë e tha qartë edhe komisionerja Marta Kos: martesa mes Shqipërisë dhe BE-së është në proces dhe do të ndodhë brenda këtij mandati të ri që shqiptarët i besuan Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu