Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë po shqyrtojnë ndryshimin e praktikës gjyqësore për masat e sigurimit, duke hapur një debat të rëndësishëm mbi kriteret për vendosjen e “arrestit në burg”.

Me iniciativë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, është nisur procedura për rishikimin e vendimit unifikues të vitit 2011, me qëllim përshtatjen e tij me ndryshimet ligjore, konventat ndërkombëtare dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fokus të shqyrtimit është neni 230 i Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se arresti në burg duhet të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veprës dhe të personit.

Prokurori Arqile Koça theksoi në seancë se rrezikshmëria nuk mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e veprës penale, por kërkon analizë të individualizuar të personit nën hetim. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për zbatueshmërinë e masave alternative në praktikë, duke pyetur: “Si do të garantohet që i hetuari të paraqitet në gjyq?”.

Nga ana tjetër, gjyqtarët ngritën dilema mbi nevojën që gjykata të arsyetojë në detaje pse masat më të buta nuk janë të përshtatshme, ndërsa u diskutua edhe raporti mes legjislacionit vendas dhe standardeve të Strasburgut.

Avokati Luan Hasneziri mbrojti qëndrimin se “arresti në burg” duhet të jetë masa e fundit, duke theksuar se rrezikshmëria e veprës dhe e personit nuk janë të mjaftueshme pa një analizë të plotë të alternativave.

Çështja konkrete që po shërben si kazus lidhet me Bektash Zenelin, i arrestuar për mbajtje kanabisi, ku Apeli kishte zëvendësuar arrestin në burg me arrest shtëpie.

Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara pritet të japë një orientim të ri për gjykatat në të gjithë vendin, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si do të aplikohen masat e sigurimit në të ardhmen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu