Një ushtar i ri i Ushtrisë së Malit të Zi, David Gorvokovic, e festoi ditën Ditën e Flamurit të Shqipërisë, më 28 Nëntor, me ushtarë shqiptarë.
Ushtari, i cili aktualisht është pjesë e një misioni të NATO-s në Bullgari, është fotografuar duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në Mal të Zi.
Në një artikull të botuar nga gazeta malazeze ‘Vijesti’ me titullin: Pjesëtari i Ushtrisë së Malit të Zi bën ‘shqiponjën dykrenare’, raportohet se Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq ka thënë për gazetën në fjalë se po kryhet një hetim.
Ai foli po ashtu edhe për një incident tjetër që përfshin dy ushtarë malazezë të arrestuar në Kosovë. Ata u ndaluan në Deçan pasi në automjetin e tyre ishte shkruar “Kosova është Serbi”.
Më tej ministri nënvizoi se autoritetet do të veprojnë në përputhje me ligjin për të trajtuar këto situata. Për dy të ndaluarit, Gjykata Themelore në Pejë vendosi një muaj paraburgim. Prokurori atje i akuzoi ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes”.
Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë./shqiptarja