
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, i ka dhënë fund beqarisë me Lauren Sánchez në një festë madhështore që po zhvillohet në qytetin romantik të Venecias, Itali.
Ceremonia fillestare e dasmês luksoze u zhvillua në një ambient privat dhe të mbrojtur nga mediat, por paparacët nuk munguan të kapnin momente nga ardhja e çiftit dhe të ftuarve të famshëm. Të pranishëm ishin personalitete nga bota e teknologjisë, filmit dhe modës, përfshirë ikonat Leonardo DiCaprio, Kim Kardashian, Bill Gates, dhe ish-presidentin e SHBA Barack Obama, sipas raportimeve ndërkombëtare.
Ceremonia luksoze pritet të zgjasë deri të shtunën, me kosto që llogaritet në dhjetëra miliona dollarë. Por ndërkohë që çifti po feston me të ftuar VIP dhe nën masa të rrepta sigurie, qyteti po përballet me protesta dhe kritika të ashpra nga banorët lokalë dhe aktivistët.
Fushata “No Space for Bezos” ka mobilizuar qytetarë, ambientalistë dhe organizata si Greenpeace, duke kundërshtuar jo vetëm dasmën, por edhe atë që e quajnë “shfrytëzimi i Venecias nga elitat globale”. Aktivistët kanë shprehur zemërimin për ndikimin e turizmit masiv në infrastrukturën e qytetit, si dhe për rolin që sipas tyre Bezos ka luajtur në përkeqësimin e kushteve të punës dhe pabarazinë ekonomike. Po ashtu, lidhjet e tij të mëparshme me ish-presidentin Donald Trump janë përmendur si një tjetër arsye për pakënaqësi.
Për të shmangur përplasjet, një nga festat është zhvendosur në zonën e izoluar të Arsenale, ndërkohë që janë ngritur ura për të parandaluar aksesin e protestuesve. Aktivistët kanë vendosur kukulla të Bezos të mbuluara me dollarë nëpër qytet, si dhe pankarta me mesazhe si “Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, mund të paguash edhe më shumë taksa”.
Pavarësisht protestave, kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro, ka dalë në mbrojtje të ngjarjes, duke theksuar se kjo dasmë do të sjellë miliona euro ndikim ekonomik për qytetin. Por kritikët thonë se qyteti nuk është skenë për lukset e miliarderëve ndërsa popullsia lokale përballet me çmime të papërballueshme dhe mungesë shërbimesh bazë.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Bezos dhe Sánchez janë martuar ligjërisht gjatë kësaj jave, pasi nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare për martesë në bashkinë e qytetit. Ceremonia përfundimtare, sipas mediave, pritet të zhvillohet të premten në ishullin San Giorgio Maggiore, me një pritje madhështore të shtunën në Arsenale.
Një dasmë spektakolare që, përveç yjeve dhe shkëlqimit, ka ndezur edhe debate globale për luksin, përgjegjësinë sociale dhe të drejtën e qyteteve historike për të mbrojtur identitetin e tyre.