Pak minuta pa shkuar ora 24, deputeti i PD, Dashnor Sula i cili u la jashtë listës së Elbasanit edhe pse u rendit i pari në primaret e partisë, ndërroi forcë politike.

Pak orë pasi njoftoi me një reagim në facebook se u përjashtua nga lista  për shkak se mbështet SPAK e GJKKO, Sula gjeti strehë tek Adriatik Lapaj.

Ai u bë pjesë e listës së koalicionit “Nisma Shqipëria Behet” një bashkim i “Nismës Thurje” dhe “Partisë Shqipëria Behet”, të Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt.

Një javë më parë Dashnor Sula, e komentonte bashkimin e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe Nismës Thurje, të drejtuara nga Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani, duke e cilësuar si një gabim politik, ndërsa i cilësoi ata vetë si “budallenj politikë”.

Duke ironizuar ambiciet e liderëve të rinj politikë, ai shtoi: “Edhe unë shoh në ëndërr Monica Belluccin, por nuk do të thotë ta kem të dashur. Në ëndrra ata mund të shohin veten si kryeministër, por nuk bëhesh dot.”

“Kanë bërë gabim për mua këta. Të isha i ri si këta të tjerët. Endrit Shabani…janë budallenj. Është budallallëk! Janë budallenj politikë! Të qenit në opozitë, çdo force e re ka nevojën e një mbështetjeje të një force të madhe opozitare, si është PD. Nuk cenohet as dinjiteti yt, as integriteti yt brenda një kampi opozitar. Ke mundësi të bësh opozitë brenda programit dhe idesë tënde politike. Armiku më i madh sot është mazhoranca dhe ndaj të gjithë ne pavarësisht ndarjeve duhet të bashkohemi në një kamp. Nëse ne nuk mbajmë fjalën nesër pasnesër, ti del nga qeverisja dhe i jep mundësinë opozitës. E mira për Shqipërinë është kjo. Nëse sheh interesin personal për t’u bërë deputet është gabimi më i madh”, u shpreh Sula 7 ditë më parë në një emision në News 24./AIA.AL

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu