
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar se heqja e sanksioneve ndaj Millorad Dodikut dhe dhjetëra individëve e kompanive të lidhura me të, lidhet me veprimet konstruktive të ndërmarra së fundmi nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, DASH theksoi se vendimet e marra gjatë javëve të fundit në entitetin serb të Bosnjës “kanë ndihmuar në përmirësimin e stabilitetit në Bosnjë dhe krijimin e kushteve për një partneritet të ri me SHBA-në”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aktorët politikë në të gjithë Bosnjën për të vendosur prioritete të përbashkëta, që bazohen në interesa të ndërsjella, potencial ekonomik dhe prosperitet”, – thuhet në reagimin e DASH.
Milorad Dodik, ish-president i Republikës Sërpska dhe lider i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), ishte vendosur më parë nën sanksione nga SHBA për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe përpjekje për të minuar institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës.
Sanksionet ndaj Dodikut, anëtarëve të familjes së tij, bashkëpunëtorëve të afërt dhe mbi 40 subjekteve ekonomike, u hoqën të mërkurën nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC).
Megjithëse OFAC nuk dha shpjegime të detajuara, burime diplomatike lidhin këtë vendim me ndryshimet ligjore të miratuara më 18 tetor nga Asambleja e Republikës Sërpska, e cila shfuqizoi një sërë ligjesh të shpallura më parë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
Këto përfshijnë ligjet për:
- Moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,
- Pronën publike,
- Kodet penale dhe zgjedhore të entitetit,
- Si dhe kompetencat e institucioneve të nivelit shtetëror.
Kujtojmë se Dodik ishte dënuar nga gjykata e Bosnjës për nënshkrimin e një ligji që ndalonte zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në territorin e Republikës Sërpska. Ai u dënua me një vit burg, dënim që më pas e zëvendësoi me gjobë, dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet.
Në të njëjtën seancë, Asambleja e Republikës Sërpska shfuqizoi 12 konkluzione të dhjetorit 2024, të cilat ishin cilësuar nga disa ambasada perëndimore si kundërshtime të hapura ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, dhe emëroi Ana Trishiq-Babiq – ish-këshilltare e Dodikut – si presidente në detyrë të entitetit serb.





