Departamenti Amerikan i Shtetit ka përditësuar këshillat e udhëtimit për qytetarët amerikanë në mbarë botën, duke reflektuar rritjen e tensioneve globale dhe rreziqet e sigurisë në disa rajone. Në këtë raport të fundit, Shqipëria dhe Kosova janë klasifikuar në Nivelin 2, që nënkupton rekomandimin për të “ushtruar kujdes të shtuar”, ndërsa vende si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen në Nivelin 1, niveli më i ulët i rrezikut.

Image

 

Sipas autoriteteve amerikane, klasifikimi në Nivelin 2 lidhet me faktorë si kriminaliteti i zakonshëm apo situata të caktuara sigurie, por pa rrezik të drejtpërdrejtë të lartë për turistët. Në të njëjtin nivel me Shqipërinë janë edhe vende të zhvilluara si Italia, Gjermania dhe Spanja, çka tregon se ky kategorizim nuk konsiderohet alarmant, por kërkon vigjilencë të shtuar gjatë udhëtimit.

Ndërkohë, vendet me rrezik më të lartë si Irani, Siria apo Afganistani janë vendosur në Nivelin 4, ku rekomandimi është i qartë: “Mos udhëtoni”, për shkak të rreziqeve serioze si terrorizmi, konfliktet e armatosura dhe arrestimet arbitrare.

Raporti i DASH thekson se këto udhëzime kanë për qëllim informimin e qytetarëve përpara udhëtimeve ndërkombëtare dhe nxitjen e masave parandaluese për sigurinë personale. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të informuar dhe të ndjekin këshillat zyrtare për çdo destinacion.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu