Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin zyrtar për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2025, ku vlerësohet stabiliteti makroekonomik i vendit, por ngrihen një sërë shqetësimesh që lidhen me ambientin e biznesit dhe konkurrueshmërinë.

“Situata makroekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme. Në vitin 2024, rritja ekonomike arriti në 4 përqind, e nxitur nga rritja e fuqishme në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme dhe politikat e kujdesshme makroekonomike”, thuhet në raport.

Megjithatë, raporti evidenton si sfidë madhore nivelin e lartë të informalitetit, që po dëmton ndjeshëm zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e tregut shqiptar.

Investimet e huaja dhe kuadri ligjor

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja direkte. DASH vlerëson se vendi mban një regjim liberal të investimeve, i ndërtuar për të tërhequr kapital të huaj. Ligji për Investimet e Huaja garanton mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon 100% pronësi të huaj të kompanive, me përjashtim të fushës së aviacionit.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka potencial të gjerë ekonomik, një kuadër të shëndoshë ligjor, dhe ka shënuar përparime në kufizimin e korrupsionit të vogël përmes dixhitalizimit të shërbimeve publike. Një tregues i kësaj është përmirësimi i rezultatit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International – nga 37 në 42 pikë nga 100 në vitin 2024. Megjithatë, investitorët e huaj ende e perceptojnë Shqipërinë si një vend sfidues për të bërë biznes.

Reforma në drejtësi dhe ndikimi në klimën e investimeve

Për të adresuar korrupsionin sistemik, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë kushtetuese në vitin 2016 për të transformuar sistemin gjyqësor. U krijuan institucione të reja të pavarura si Zyra e Prokurorisë Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, pjesë e SPAK-ut. Reforma ka mbështetje të fortë nga SHBA dhe BE, dhe synon të përmirësojë sundimin e ligjit e rrjedhimisht klimën e investimeve.

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka çuar në shkarkimin ose dorëheqjen e më shumë se gjysmës së tyre për pasuri të pashpjegueshme apo lidhje me krimin. Megjithatë, komuniteti i biznesit paralajmëron se mungesa e kuadrove në gjyqësor ka ngadalësuar shqyrtimin e çështjeve, duke krijuar vonesa të mëdha, sidomos në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Administrative të Apelit.

Sfidat që mbeten

Pavarësisht stabilitetit ekonomik, raporti thekson se zhvillimi i Shqipërisë mbetet i brishtë për shkak të:

  • korrupsionit të përhapur
  • krimit të organizuar
  • konkurrencës së shtrembëruar
  • mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit
  • produktivitetit të ulët
  • dhe një sektori të madh informal

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe pastrimin e parave, veçanërisht të ardhura nga trafiku i drogës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu