
Dy balena kaçalot (Balena spermë) janë gjetur të ngordhura brenda një jave në brigjet e Gadishullit Jutland në Danimarkë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe duke hapur pikëpyetje mbi shkaqet e ngordhjes së tyre.
Rasti i parë u regjistrua në Gjirin e Ålbæk, në veri të vendit, ku balena u mor menjëherë në trajtim dhe iu nënshtrua autopsisë për të kuptuar arsyet e daljes në breg. Ndërsa rasti i dytë, në Blåvandshuk, në bregun jugperëndimor të Danimarkës, mbetet ende i pazgjidhur.
Balena e dytë ndodhet në një zonë që arrihet gjatë baticës së ulët dhe për këtë arsye autoritetet kanë vendosur të mos ndërhyjnë, duke lënë që “natyra të ndjekë rrjedhën e saj”. Por kjo ka sjellë një situatë të rrezikshme: qytetarë, turistë dhe fëmijë janë afruar pranë karkasës, duke bërë foto dhe madje duke luajtur rreth saj.
Autoritetet paralajmërojnë se karkasat e balenave përbëjnë rrezik serioz, pasi gjatë dekompozimit grumbullohen gaze që mund të shkaktojnë shpërthim, si dhe çlirohen avuj toksikë, potencialisht të dëmshëm për shëndetin.
Policia lokale dhe shërbimet e emergjencës u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos afrohen, duke theksuar se zona është gjithashtu e rrezikshme për shkak të ndryshimeve të shpejta të baticës dhe dallgëve.
Ndërkohë, ekspertët po hetojnë shkaqet e spiagjimit të balenave, të cilat mund të lidhen me sëmundje, ndotje akustike nënujore (sonarë, anije të mëdha) ose ndryshime klimatike që ndikojnë në rrymat detare.
Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera të botës, duke e kthyer fenomenin e balenave të spiaguara në një shqetësim gjithnjë e më të madh global.






