
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, sqaroi në Kuvend deklaratën e tij për numrin telefonik “0900”, pas reagimeve nga opozita dhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Balla theksoi se deklarata e tij nuk kishte lidhje me asnjë fyerje personale, por i referohej një linje informacioni që përdoret në Bashkimin Europian për të marrë të dhëna mbi vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve europiane.
View this post on Instagram
“Bëhet fjalë për një numër telefonik që në Bashkimin Europian përdoret për të marrë informacion mbi Bashkimin Europian. Është një ‘green line’ ku qytetarët mund të informohen për vendimmarrjen në BE”, u shpreh ai.
Kreu i grupit parlamentar socialist shtoi se nëse deputetja Albana Vokshi është ndjerë e fyer nga deklarata e tij, ai i kërkon ndjesë, duke theksuar se diskutimi i tij në seancë kishte të bënte me reformën dhe debatet aktuale në Bashkimin Europian.
“Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer nga fjala ime, edhe një herë ndjesë”, tha Balla.
Gjatë fjalës së tij në sallë, ai kritikoi edhe tensionet e krijuara në seancë, duke përmendur dëmtimin e pajisjeve të foltores dhe duke kërkuar ndërprerjen e përkohshme të seancës deri në rikthimin e normalitetit në Kuvend.
Në fund, Balla theksoi se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe se kushdo që dëshiron mund ta përdorë numrin për të marrë informacion mbi Bashkimin Europian.



