Në prag të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Europian, që mbahet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama priti sot në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Pas takimit, të dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u theksua vendosmëria për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa u shpreh se nuk ka një datë magjike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE: Me këto ritme mund te hyni në BE dhe para 2030, u shpreh Costa.

“Ne do të ndjekim nga afër progresin e Shqipërisë, arritjet e saj ditë pas dite. Sapo të përfundojë procesi i anëtarësimit, në atë moment, Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian.

Pse jo, madje edhe më përpara? Pse jo përpara vitit 2030? Nëse Shqipëria vijon me këtë ritëm dhe këto rezultate, atëherë është plotësisht e mundur që anëtarësimi të ndodhë më herët se sa pritet.

Megjithatë, gjithçka varet nga ecuria juaj.”

 

Kryeministri Rama vlerësoi praninë e Presidentit Costa në Tiranë, duke e cilësuar atë “një mik të dashur dhe shumë të mençur”. Ai nënvizoi se Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në procesin e negociatave, me 16 kapituj të hapur dhe synim për të hapur të gjithë kapitujt brenda vitit. Rama theksoi se objektivi i qeverisë është përmbyllja e negociatave brenda vitit 2027, duke e konsideruar këtë një mundësi të rrallë që nuk duhet humbur.

“Yjet janë rreshtuar. BE sot është më i gatshëm se kurrë për të pranuar anëtarë të rinj, por kjo mbi bazën e meritës dhe rezultateve. Është një moment që historia na e ka sjellë në derë dhe duhet ta shfrytëzojmë,” deklaroi Rama.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi Shqipërinë si “mishërimin e procesit të zgjerimit të BE-së”, duke përgëzuar qeverinë për rezultatet dhe qytetarët shqiptarë për besimin e vazhdueshëm ndaj projektit europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë nuk është çështje ‘nëse’ apo ‘si’, por çështje ‘kur’. Ju e dini saktësisht çfarë duhet bërë. Tani është momenti për të ruajtur ritmin dhe për të përqendruar punën te sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit,” u shpreh Costa.

Në konferencë u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me vlerësime për zhvillimin e dialogut të nivelit të lartë BE–Shqipëri në këtë fushë.

Costa përshëndeti gjithashtu organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, duke e cilësuar si një gur kilometrik për Shqipërinë dhe rajonin. Ai përgëzoi edhe hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe studentët e tij, duke e quajtur një simbol të integrimit të thellë europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu