
Një luan dhe një ari, të mbajtur në mënyrë të paligjshme në një pronë private në veriun e Shqipërisë, kanë nisur një jetë të re në rezervate të specializuara për kafshë të egra në Gjermani, pasi autoritetet shqiptare zbuluan rastin dhe ndërhynë për konfiskimin e tyre. Lajmi është raportuar nga Associated Press shkruan CNN.
Luani Erion, 3 vjeç, dhe arusha Flora, 2 vjeçe, u shpëtuan nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve Four Paws, pas ndërhyrjes së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, e cila lokalizoi luanin përmes videove të publikuara në TikTok nga pronari i tij. As autoritetet dhe as organizata nuk kanë bërë publik identitetin e personit që i mbante kafshët.

“Jemi shumë të lumtur që autoritetet i konfiskuan kafshët dhe që tani kemi mundësinë t’i dërgojmë në Gjermani, ku mund të jetojnë në kushte të përshtatshme për specien e tyre,” deklaroi Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projektesh për shpëtimet pranë Four Paws.
Veterinerët i vunë kafshët në anestezi përpara transportit, ndërsa më 13 dhjetor ata përfunduan një udhëtim 70-orësh përmes disa vendeve evropiane. Erioni është vendosur në një rezervat për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një rezervat për arinj në veri të vendit.
Four Paws bëri të ditur se të dy kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore. Flora rezultoi e kequshqyer dhe me probleme dentare, ndërsa tek Erioni u vu re rënia e theksuar e krifës, për arsye që veterinerët ende nuk i kanë përcaktuar.

Sipas organizatës, origjina e kafshëve mbetet e paqartë: luani dyshohet të jetë viktimë e trafikut ilegal të faunës së egër, ndërsa arusha mendohet se është gjuajtur në natyrë. Rasti, sipas Four Paws, nxjerr në pah problemin serioz të tregtisë së paligjshme të kafshëve të egra në Shqipëri dhe në rajon, ku arinj dhe kafshë ekzotike mbahen shpesh në kafaze, restorante apo prona private, pa kujdes profesional.
Organizata thekson se legjislacioni i dobët, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i pamjaftueshëm i ligjit kanë kontribuar në këtë situatë. Four Paws vlerëson se mbi 60 mace të mëdha vijojnë të mbahen në kushte të papërshtatshme në Shqipëri. Ligji shqiptar lejon mbajtjen e kafshëve të egra vetëm nëse ato kanë lindur në robëri dhe shoqërohen me dokumentacion përkatës, por nuk parashikon sanksione për pronarët në rastet e konfiskimit.
“Ky shpëtim tregon urgjencën që Shqipëria të forcojë luftën kundër tregtisë ilegale dhe mbajtjes private të kafshëve të egra,” thekson Four Paws./CNN






