Një artikull i fundit nga CNBC e rendit Shqipërinë si destinacionin më të nënvlerësuar në Europë për ata që duan të jetojnë jashtë SHBA-së, duke e quajtur një vend që “i plotëson shumë kushte” për një jetë të re.

Autorja Cepee Tabibian, themeluese e komunitetit She Hit Refresh, që ndihmon gratë mbi 30 vjeç të zhvendosen jashtë vendit, tregon se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje falë kombinimit të kostos së ulët të jetesës, bukurive natyrore dhe mundësive të qëndrimit afatgjatë pa vizë për amerikanët.

Jeta me më pak se 500 dollarë në muaj
Në krahasim me qytetet e shtrenjta amerikane, Tirana ofron qira shumë më të ulëta. Shembull, një apartament komod me dy dhoma në kryeqytet mund të kushtojë më pak se një e gjashta e çmimit që paguhet në Kaliforni. Edhe ushqimi, shërbimet dhe kujdesi shëndetësor janë shumë më të përballueshme.

Mikpritje dhe jetë pa burokraci
Një tjetër avantazh i madh është se shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në 12 muaj pa vizë, duke i dhënë mundësinë të “testojnë” jetën këtu pa procedura të ndërlikuara. Sipas Denisës Kaca Bradley, themeluese e Expats in Albania, gjithnjë e më shumë të huaj zgjedhin të vendosen për një ose disa vite, disa madje duke marrë leje qëndrimi afatgjata.

Nga Alpet te Rivierat
Bukuria natyrore është një tjetër magnet: nga Alpet Shqiptare në veri, deri te brigjet me ujëra kristal të Adriatikut e Jonit. Riviera shqiptare ofron plazhe të qeta edhe në shtator, ndërsa Saranda dhe Vlora po bëhen pika të preferuara jo vetëm për pushime, por edhe për jetë të përhershme.

Autenticitet dhe komunitet në rritje
Shqipëria ende ruan ndjesinë autentike, por njëkohësisht ofron një komunitet gjithnjë e më të madh të huajsh. Sipas amerikanes Monica Miranda, e vendosur në Vlorë prej gati dy vitesh, “momenti që mbërrita, diçka klikoi… kam ndërtuar një rreth miqsh nga e gjithë bota”.

Për shumë amerikanë që kërkojnë një vend të sigurt, të përballueshëm dhe me mikpritje të ngrohtë, Shqipëria po rezulton të jetë pikërisht “vendi i duhur në kohën e duhur”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu