13 Qershor 2025 – Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të premten, me afro 9%, duke arritur nivelet më të larta të muajve të fundit, pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit dhe shqetësimeve në rritje për një përshkallëzim të konfliktit që mund të rrezikojë furnizimet me naftë nga Lindja e Mesme.

Nafta Brent u rrit me 6.19 dollarë, ose rreth 8.9%, duke kapur çmimin 75.55 dollarë për fuçi, pas një kulmi ditor prej 78.50 dollarësh, niveli më i lartë që nga 27 janari. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 6.22 dollarë, ose 9.1%, duke arritur në 74.26 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 21 janari.

Këto lëvizje janë rritjet më të mëdha ditore për të dy kontratat që nga viti 2022, kur filloi lufta në Ukrainë dhe tregjet globale panë çmime rekord të energjisë.

Sulmi izraelit dhe frika për furnizimet

Izraeli njoftoi se kishte goditur objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore iraniane, përfshirë fabrikat e raketave balistike dhe komandantë të lartë ushtarakë. Sipas deklaratave izraelite, kjo ishte faza e parë e një “operacioni të zgjatur” për të penguar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Irani, nga ana tjetër, ka premtuar një kundërpërgjigje të ashpër.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Iranit të nënshkruajë një marrëveshje për programin e tij bërthamor për të shmangur “sulmet e radhës tashmë të planifikuara”.

Ende pa ndikim të drejtpërdrejtë në furnizim

Kompania Kombëtare Iraniane e Rafinerisë dhe Shpërndarjes së Naftës njoftoi se kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit nuk janë dëmtuar dhe vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Sipas analistit Ole Hvalbye nga SEB, shqetësimi kryesor është nëse zhvillimet e fundit do të ndikojnë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë e naftës, nga ku kalon rreth 20% e konsumit global të naftës – mbi 18 milion fuçi në ditë. Deri tani, nuk është raportuar asnjë ndikim direkt në qarkullimin e naftës.

Skenarët e mundshëm dhe tregjet globale

Kompania analitike Sparta Commodities vlerëson se çdo ndërprerje serioze në furnizim do të ndikonte në çmimet e llojeve të ndryshme të naftës së papërpunuar, ndërsa analistët e JPMorgan paralajmëruan se në një skenar më të keq, çmimi mund të shkojë deri në 120-130 dollarë për fuçi nëse Ngushtica e Hormuzit bllokohet ose nëse vendet prodhuese reagojnë ushtarakisht.

Sipas Janiv Shah nga Rystad Energy, është e paqartë nëse kjo rritje do të zgjasë më shumë se disa ditë:

“Gjasa për një luftë të plotë është e ulët, dhe çmimet mund të përballen me rezistencë. Eksportet iraniane shkojnë kryesisht në Kinë, ndaj çdo ndalim i tyre do të godiste blerjet me çmime të zbritura nga Pekini. Rezervat e OPEC+ mund të ndihmojnë në stabilizim.”

Ndërkohë, bursat globale ranë ndjeshëm, ndërsa investitorët u drejtuan drejt aktiveve të sigurta si ari dhe franga zvicerane. Instituti gjerman DIW paralajmëroi se rritja e çmimeve të naftës mund të përkeqësojë më tej ekonominë gjermane, e vetmja në G7 që nuk ka shënuar rritje për dy vite radhazi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu