
TIRANË – Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë ndryshime në Rregulloren për stacionet e plazhit, duke vendosur çmime maksimale për shërbimet e çadrave dhe shezlongëve në plazhet publike, si dhe në ato të administruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Sipas vendimit, njësitë vendore do të kenë detyrimin që, përpara nisjes së sezonit turistik, të miratojnë tavanet e çmimeve për çdo zonë bregdetare. Këto çmime do të përfshihen në mënyrë të detyrueshme në kontratat me subjektet private dhe nuk do të mund të tejkalohen gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës.
Çdo shkelje e çmimeve të përcaktuara do të konsiderohet shkelje kontraktore, duke sjellë masa administrative ndaj subjekteve përkatëse, deri në zgjidhjen e kontratës.
Vendimi synon gjithashtu harmonizimin e menaxhimit të plazheve, si publike ashtu edhe të privatizuara, duke forcuar monitorimin e:
nivelit të zhurmave,
standardeve të sigurisë,
kushteve të higjienës.
Në zbatimin e rregullores do të përfshihen Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të kenë rol kyç në kontrollin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve në plazhe.
Vendimi hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
–






