Prindër dhe të rinj protestuan sot para ministrisë së Arsimit, pas vrasjes së Martin Canit, ngjarje e cila tronditi mbarë opinionin publik.
14-vjeçari Martin Cani u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj, jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” ku të dy studionin.
Qytetarët kanë kërkuar sot dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
E pranishme në protestë ishte edhe tezja e Martinit.
Mes dhimbjes, tezja e të miturit u shpreh se e dërguan Martinin në shkollë dhe jo në luftë që ta therin.
“Duam drejtësi, drejtësia të shkojë në vend! E çuam në shkollë dhe jo në luftë që të na e therin. Nuk më gjen gjë. Gjithë bota ka mbajt zi për të, jo vetëm Shqipëria. Ç’më duhet uji, ka katër ditë që Martini nuk pi ujë”, tha ajo.
Por, për shkak të dhimbjes nga humbja e nipit të saj, që u godit me thikë në zemër, ajo humbi ndjenjat në protestë.
Tezja e 14-vjeçarit u transportua me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore./vizionplus.tv