Ne rubriken “Ç’kemi ndonjë të re”,  Rama flet i revoltuar me akuzat e Berishës për Agaçin:

Përshëndetje nga kryeministria! Kam nevojë të ndaj diçka revoltuese me ju.

Këneta është përballë një thatësire të madhe, kjo është e qartë.

Maji do të jetë përvëlues për të dhe bufi i kënetës politike-mediatike e di këtë më mirë sesa kushdo tjetër. Mobilizimi i krijesave të saj, që nga njërezillëku dhe nga qytetaria janë njësoj si bretkosa, zhapikë, salamandra, mushkonja, merimanga uji, kërmij kënete, nuk ka për të ndryshuar asgjë në fatin e saj të shkruar.

Por ama, llumi helmues i kënetës, ia asaj kënete që ka mbetur nga ajo që lindi si Partia Europiane e shqiptarëve do të mbiprodhohet deri në ditën çliruese të 11 majit dhe zhaurima histerike e atij kolektivi speciesh të ulëta politike dhe mediatike do të shqetësojë dynjanë me akuzat, shpifjet, sajesat dhe gënjeshtrat që imagjinoni do të shkojnë në një nivel të ri.

Tani prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij dhe me ferman të Bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, një person në arrati nga drejtësia dhe me tam-tamet e mushkonjave anafele të kënetës mediatike, të cilat hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK-ut në kryeministri, e marrjes së laptopit të sekretarit dhe syrit që t’u dalë bashkë me qimen e bufit.

Ëngjëll Agaçi studioi në Itali, drejtësi.

U bë pjesë e njërës prej studiove më të njohur të avokatisë në Romë, ku punoi për shumë vite si një shqiptar dinjitoz, plotësisht i integruar.

U kthye në Shqipëri me ftesën time për të shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe i përket pa asnjë dyshim, ajkës së juristëve shqiptarë, po njëkohësisht dhe majës së përkushtimit e të profesionalizmit, në shërbim të shtetit tonë. Për atë që ai përfaqëson, është vlerësuar edhe me një medalje nderi nga Presidenti i Republikës Italiane.

Përpara disa kohësh u nis në Itali për arsye domethënëse shëndetësore, kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes, si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare për të cilin u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike polmonare. Me fjalë tjera, dalje të mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku për disa ditë, mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë.

Është e hatashme që, megjithëse kryeministria ka bërë njoftim publik, mirë ca qimra e ca jargë të bufit në pasqyrën mediatike të folësë tij, po i sëmuri që lufton për jetën andej, është bërë mish për qoftet e klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur dhe famëkeq si shpifaraku më i madh që ka lindur toka shqiptare dhe si shkelësi më brutal në historinë e këtij vendi, i çdo zakoni, i çdo kanuni dhe i çdo norme njerëzore.

Po mirë, mo mirë dakord, kurrë mos më daçin mua, kurrë mos e votofshin Partinë Socialiste ata që s’na duan dhe që veç keqen do na marrin prapë, siç na kanë marrë 9 herë rresht me thënë drejtën. Po, çfarë shqiptarësh janë? Çfarë qytetarësh janë? Çfarë njerëzish janë? Që akoma mbajnë në jetën publike dhe politike të vendit me mbështetjen me votat e tyre, një karikaturë të njeriut dhe një përçudnim të shqiptarit, se për qytetar as bëhet llaf fare ta llogarisësh atë mbret të llumit.

Unë nuk e di, nuk e di! Është e pabesueshme që mes kënetës së bufit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian të zgjedhësh dhe të brohorasësh kënetën.

Gjynah i madh, mëkat!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu