
Bashkimi Evropian ka nisur t’ia heqë dalëngadalë masat Kosovës, pas gati dy vjetësh, por me kusht që ajo t’i ulë tensionet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kështu paralajmëroi në Prishtinë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Screenshot_25Derisa Kallasi nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të saj në Bruksel masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas burimeve, tani ka filluar puna e disa nën-komiteteve të MSA-së, si dhe ofrimi i ndihmës teknike në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh nga ky mekanizëm.
Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.
Këto masa filluan të hiqen nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe Komisioni Evropian pas diskutimeve në Këshillin e Punëve të Jashtme në prill, thotë burimi.
“Vendimi vjen pas zhvillimit paqësor të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në fillim të këtij viti. Siç tha Përfaqësuesja e Lartë [Kallas], ky proces është gradual dhe i kushtëzuar me përparim të vazhdueshëm drejt shtensionimit”, thekson burimi.
EEAS dhe Komisioni tani po e zbatojnë këtë vendim, duke i mbajtur të informuara shtetet anëtare.
Baza për këtë vendim ishin konkluzionet e Këshillit të BE-së nga dhjetori 2024, sipas të cilave BE-ja do të ishte e gatshme të fillonte heqjen graduale të masave, paralelisht me hapat e shtensionimit në veri të Kosovës, sipas burimit.
Kallas paralajmëroi gjatë vizitës së saj në Prishtinë se, derisa ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës edhe për lidhje më të ngushta me Evropën, ai varet nga ulja e tensioneve në veri.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.
Kallas tha se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës.
Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur një sërë institucionesh paralele serbe në javët e fundit, për të cilat thonë se janë të jashtëligjshme./REL/