Nga PROF.AS. DR. ZHULJETA KADILLI

yacht hotel sarande

Në datën 11 janar 2025 në ambientin e kalasë së Elbasanit u nënshkrua marrëveshja për rijetëzimin e kalasë. Projekti i rijetëzimit merr rëndësi të madhe, pasi pas rikonstruksionit mund të bëhet një nga objektet më të vizitueshme për turistët vendas e të huaj, e për pasojë do të sjellë ndikim në zhvillimin e turizmit dhe të ardhura për qytetin. Veç kësaj, do rijetësojë një nga simbolet e qytetit, si pjesë e identitetit historik e kulturor të saj. Më së paku do të sjellë një pamje ndryshe të kalasë, në veçanti dhe Elbasanit në përgjithësi. Por cila është historia e kalasë, çfarë përfaqëson, a ka ndryshuar gjatë periudhave historike?

Qyteti i Elbasanit, është një nga qendrat kryesore të Shqipërisë së Mesme me një sipërfaqe rreth 700 ha. Ai shtrihet në fushën me të njëjtin emër, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit. Në skajin verilindor të saj, në anën e djathtë të lumit, në një pozicion kyç nga ku kontrollohen lehtësisht lëvizjet në Via Egnatia, ndodhet kështjella e Skampis-it. Si stacion i rrugës Egnatia përmendet që në shekullin e II të erës sonë me emrin Skampis. “Në tokën e Eordejve, Skampis…”, Ptolemeu kumton të dhënën e parë për Elbasanin e lashtë në shekullin e dytë të erës sonë. Elbasani përmendet që në shek. II të erës sonë. Qyteti romak i quajtur nga burimet dokumentare Skampis, Skampa, Hiskampis, Mansio, Elbasani i sotëm, ka qenë një qendër stategjikisht e dukshme e vendosur në luginën e lumit Shkumbin. Shërbente kryesisht për t’u vendosur legjionet ushtarake.

Në shekujt III-IV, ky qytet dëshmohet nga të dhënat që na japin itineraret e ndryshme për Via Egnatian. Del me emrin Hiskampis, qytet ku bëhej tregti e drithërave, lëkurëve etj. Në shekullin V qyteti filloi rënien, kur në territoret e Ilirisë u dyndën fiset barbare, gotët, visigotët, avarët etj. Në rënien e Skampisit si qendër tregtare ndikoi edhe ndarja e Perandorisë Romake në dy pjesë duke e lënë qytetin në periferi të Perandorisë Bizantine. Të dhënat e fundit për Skampinin i përkasin shekullit VI, kohës së sundimit të perandorit Justinian. Në vitin 519 dëshmohet si qytet, qendër peshkopale e ushtarake, me katedrale dhe një bazilikë jashtë mureve rrethuese. Dokumentet e vitit 519 janë dy letrat, në të cilat përmendet peshkopi Trojus i Skampisit për pritjen e ngrohtë që i bëjnë klerikët e këtij qyteti të deleguarit të Papës, Hormisdas, në Katedralen e Shën Pjetrit. Në këtë periudhë ka gjallërim të lëvizjeve në Via Egnatia. Kalaja e Skampisit kalon në proces rindërtimi dhe qyteti fillon të marrë jetë. Jeta urbane vazhdon të mbijetojë gjatë shekujve VII-VIII. Në shekullin IX bie pre e pushtimeve nga fiset bullgare, por, gjithsesi ka një rigjallërim të ekonomisë në kushtet e ekonomisë natyrore. Nga shekulli IX deri në shekullin e XV nuk kemi burime të shumta për jetën në këtë qytet.

Është vendbanim i lashtë i ngritur në një pozicion të përshtatshëm gjeografik, në kryqëzimin nga V dhe JP-L, duke lidhur rrugët nga Durrësi, Tirana, Dibra, Ohri, Struga, Librazhdi, Pogradeci, Korça e Gramshi. I ndodhur pikërisht në këtë pozicion, Elbasani ka pasur një pozitë mjaft të mirë gjeografike, e cila ishte e favorshme jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjerë, pasi përmes Elbasanit kalonte një nga rrugët e vjetra, që ishte vazhdim rrugës Apia, e cila niste nga Roma-Beneventum-Brindizi, Via Egnatia. Via Egnatia, si një ndër rrugët kryesore të kohës, kalonte nga Durrësi nëpër luginën e Shkumbinit në Ohër, Resnjë, Voden, Selanik deri në Stamboll.

Por, në shekullin e IX, ai shkatërrohet nga dyndjet e bullgarëve dhe për shumë kohë nuk dëshmohen të dhëna për zhvillimin e tij. Gjithsesi kalaja mbijetoi dhe madje e rëndësishme është që muri rrethues i kalasë tregon tri periudha historike: Periudhën e vonë romake, periudhën e hershme bizantine dhe periudhën osmane. Në këtë kontekst do të theksoja se për kalanë periudha osmane, është më e dukshme dhe më e qenësishme. Kjo për faktin se është më e vonë dhe i ka rezistuar kohërave së bashku me sundimin osman. Periudha osmane lidhet me fillimin e rindërtimit të kalasë më 1466 nga Sulltan Mehmedin II, në vitin 1466. Pushtimi më 1466 shënoi mbylljen e një periudhe të gjatë e të jashtëzakonshme të arkitekturës romako-bizantine të Skampis, por njëkohësisht nisi një periudhë shumë të rëndësishme për zhvillimin urbanistik dhe arkitekturor të Elbasanit përfshirë edhe kalanë romako-bizantine që u shtri gjerësisht jashtë kufirit antik, mori një rregull të veçantë dhe një pamje të jashtme të përfaqësuar nga minaret dhe nga kupolat, që bashkë me strukturat unike ndërtuese i dhanë karakter oriental.

Kjo përzgjedhje në këtë territor mendojmë se lidhet me kushtet fiziko-gjeografike. Kalaja e Elbasanit është fushore dhe ndër më të mëdhatë në Ballkan. Gjithashtu, lidhet me nevojën për ngritjen e një kampi për trupat osmane dhe mbi të gjitha i kishte gati themelet apo muret pjesërisht. Sulltan Mehmedit ju deshën “25 ditë” për të rindërtuar, muret rrethuese të kalasë mbi themelet e një kështjelle antike. Sipas Babingerit duhet pranuar që, edhe në paçin punuar shumë duar, ndërtesa e një kalaje me përmasat si të fortifikatës së Elbasanit, themelet e së cilës me pjesë goxha të mëdha të murit qëndrojnë edhe sot, nuk mund të jetë kryer për një afat kohor kaq të jashtëzakonshëm, prandaj mund të mëtohet me të drejtë se, pjesët kryesore të një fortese të mëparshme ishin marrë si bazë.

Kalaja e rindërtuar u bë fillesa e qytetit të Elbasanit. Sulltani e rindërtoi kështjellën dhe e emërtoi Iljbasan, emër të cilin e mori edhe qyteti. Më vonë ndryshimet fonetike e shndërruan në Elbasan.

Që nga kjo kohë e në vazhdim, Elbasani vazhdoi të zhvillohej me ritme të shpejta, madje të bëhej një nga qytetet e zhvilluara të hapësirës mbarëshqiptare. Ky zhvillim, në mënyrë të veçantë qe i dukshëm sidomos në shekujt XVI-XVII. Janë domethënëse në këtë drejtim dëshmitë e udhëtarëve të huaj, kronikanëve, misionarëve apo historianëve të ndryshëm që me entuziazëm shohin në këtë qytet lumturinë, punën dhe dëshirën për zhvillim. Një udhëtar i panjohur venecian (1570), duke folur për Elbasanin, thotë se ky ishte një vend tregtar, i pasur me gjithfarë sendesh për atë kohë. Pasi përshkruante qytetin me mure të larta dhe porta që mbylleshin çdo mbrëmje, ai shënonte se kishte edhe mullinj që viheshin në lëvizje me anën e ujërave të sjella përmes disa vijave.

Administrata e re osmane e ndryshoi tërësisht edhe fizionominë urbane të qytetit dhe organizimin e jetës qytetare. Pas rindërtimit dhe popullimit të kalasë jeta filloi të zhvendosej jashtë saj. Filluan të krijoheshin lagjet e para të quajtura varoshe, të cilat patën në qendër xhamitë. Kalaja në vitin 1604 kur kemi edhe dokumentin e parë të emërtimit të lagjeve në Elbasan, kishte brenda saj katër të tilla: lagjja “Aga”, “Bujuk Xhami” apo “Xhami Qebir”, “Enbar” dhe “Gjeda”. Gjatë shekujve kanë ndryshuar edhe emërtimet e tyre. Me fillimin e funksionimit të kalasë u ndërtua edhe tregu afër mureve të saj. Ndërtimi në këtë pozicion ishte karakteristikë thelbësore e qyteteve otomane (osmane). Tregu u rrethua nga karavansarajet (hanet) edhe kjo një tjetër karakteristikë e këtyre qyteteve. Në Shqipëri, ky treg njihej me emrin “Pazar”, por jo Bezistan. Elbasani nuk ka pasur Bezestan, pavarësisht se tregu njihej si i tillë në të folurën popullore. Në qendër të pazarit ishin rrugët në të cilat ishin vendosur dyqanet e zejtarëve. Pranë tyre filluan të ndërtohen edhe magazina të cilat do të përbënin vendet e para zejtare dhe tregtare. Ky proces që nga ndërtimi i kalasë vazhdoi gati një shekull. Me kalimin e kohës Elbasani vazhdonte të zhvillohej me ritme të shpejta. Në shekullin XVII, llogaritej si një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë e më gjerë. Ai kishte rreth 4000 shtëpi, kurse Prizreni 3620.

Në fund të shekullit XIX e fillim të shekullit XX qyteti i Elbasanit, për nga zhvillimi dhe pamja urbane, ishte tipik otoman dhe nuk pati ndryshime të mëdha. Karakteri otoman evidentohej gjithashtu në ngritjen e xhamive, hamameve, lagjeve me popullsi myslimane, por dhe rrallë me popullsi të ndryshme në besim. Duhet të pohojmë se nga kështjella e shekullit II në shekullin XV kemi ndryshime të rëndësishme në perceptimin e kalasë. Në periudhën osmane mori një tjetër përmbajtje në formë dhe brendi. Në kala ka ndërtime mjaft interesante, duke filluar nga banesat me çardak, me sofa, madje me dy sofa, me katakombe etj., pa përmendur zbukurimet e brendshme, që janë të një cilësie mjaft të lartë. Këto duhet të restaurohen e ruhen. Gjithashtu gjejmë pranë njëra- tjetrës kishën dhe xhaminë, që tregon një bashkëjetësë dhe një mendësi të re në këtë proces. Pikërisht në kala, do të jetë qendra e ndryshimeve të mëpasshme.

Në shekullin XX, tri kanë qenë periudhat, gjatë të cilave zhvillimi urban ka pësuar ndryshime të dukshme në qytetin e Elbasanit e sigurisht, ndryshim që ka përfshirë edhe Kalanë që ishte zemra e qytetit. Në periudhën e viteve 1912-1924, menjëherë pas shpalljes se Pavarësisë nuk pati ndryshime të ndjeshme të urbanistikës. Veçse një pjesë e ndërtimeve brenda në kala janë prishur. Ne përgjithësi u ruajt po ajo frymë e trashëguar nga e kaluara otomane, pazari në qendër, objektet e kultit ishin ato të ndërtuara gjatë sundimit osman, po ai organizim administrativ dhe ato tipe banesash (me hajat dhe dollmallije), deri në fillim të viteve ’20. Kjo situatë mendoj është kushtëzuar edhe për shkak të gjendjes ekonomike të popullsisë dhe mendësisë njëherazi. Jemi në një situatë ekonomike të vështirë, të ardhurat nuk e përballojnë dot ndryshimin, por dhe mentaliteti ende nuk është shkëputur nga e kaluara. Periudha e viteve 1924-1939 përkon jo vetëm me ndryshime të rëndësishme politike dhe sociale, por edhe në mendësi. Gjatë kësaj kohe formohet Republika dhe në shtator 1928 Shqipëria shpallet Mbretëri. Lidhjet politike dhe ekonomike me Italinë gjatë kësaj kohe po fuqizoheshin. Kjo u duk në nënshkrimin e pakteve të miqësisë dhe ndihmës midis Romës dhe Tiranës. Zhvillimi i kapitalizmit po ecte me ritme disi më të shpejta, duke krijuar një bazë ekonomike më të qëndrueshme. Kjo është periudha kur familjet tregtare dhe zejtare të fuqishme elbasanase filluan të investojnë në përmirësimin dukshëm të kushteve të jetesës por edhe për shkollimin e fëmijëve të tyre në vendet e Evropës Perëndimore. Janë të shumta rastet në Elbasan që tregojnë për këtë, familja Biçakçiu, Vërlaci, Dakli, Karaosmani, Buda, Daiu, Hastopalli, Plangarica, Nosi, Paparisto, Shuteriqi, Deljana, etj., të cilët sollën së bashku një frymë të re në qytet. Këta djem e vajza të shkolluar filluan të orientojnë familjet e tyre drejt një mënyre të re të të jetuarit. Në këtë drejtim ndihmoi dukshëm edhe influenca italiane, e cila ishte pasojë edhe e marrëdhënieve tregtare të elbasanasve me Italinë.

Italia luajti rol të rëndësishëm edhe për t’i dhënë qytetit një pamje moderne. Kjo tendencë u duk sidomos në planin urbanistik te Elbasanit dhe territoret rreth tij, i cili ishte përfshirë nga programi i rregullimit infrastrukturor të Shqipërisë që ishte hartuar në fund të viteve‘20. U ndërtuan objekte të institucioneve shtetërore, por nuk mund të lemë pa përmendur edhe një sërë godina banimi të borgjezisë së asaj kohe, që u ndërtuan sipas një modeli evropian. Banesa të tilla kanë qene ajo e Biçakçiut (Aqif Pashës) në lagjen “Karaveli” pranë murit të Kalasë, e Vërlacit, e Lef Nosit në Kala, e Plangaricës në lagjen “Beqire”, e Hastopalleve në lagjen “Bobolle” etj. Këto banesa dalloheshin për stilin e ri arkitekturor evropian, rregullimin e tyre me shije të re nga brenda dhe jashtë.

Periudha e viteve 1939-1943, ajo e pushtimit italian, shënon një moment tjetër të rëndësishëm në ndryshimet urbanistike të qytetit. Italianët për të ndjekur dhe orientuar zhvillimet urbanistike në Shqipëri kishin ngritur zyrën qendrore të ndërtimit dhe urbanistikës. Puna dhe veprimtaria e kësaj zyre konsistonte jo vetëm në projektet ndërtimore, por dhe në planet financiare. Ky institucion është aktiv në një periudhë që është e mbushur me debate për përcaktimin e akteve normative për urbanistikën dhe kujdesin për monumentet historike dhe ambientin. Njëkohësisht zyra përpiqet të përcaktojë dhe funksionin social të projektit urban. Kjo zyrë u përgjigjej plotësisht kërkesave të urbanizimit modern që ishin hedhur që në vitin 1927 nga urbanistët racionalistë si: Gustavo Xhiovanoni apo arkitekti fiorentin Gerardo Bosio, i cili është krijuesi i ndryshimeve urbanistike dhe që u vu në krye të zyrës qendrore urbanistike. Kjo zyrë, hartoi planin urbanistik për modernizimin e qyteteve të Shqipërisë midis të cilëve edhe planin urbanistik për Elbasanin. Ky projekt që u miratua në vitin 1940 lidhej në mënyrë organike më atë të fund viteve ’20. Boshti qendror i këtij plani ishte shfrytëzimi i burimeve territoriale dhe rindërhyrja në qendër të qytetit. Brenda këtij plani gjejmë të artikuluar nyjat më të rëndësishme që ishin të lidhura me njëra-tjetrën, riorganizimi dhe sistemimi i rrugëve si dhe funksionimi urban i tyre, krijimi i një boshti qendror nga spitali në veri dhe varrezat në jug. Një tjetër element i planit ishte çlirimi i kalasë antike nga ndërtimet jashtë murit, realizimi i një sistemi lulishtesh të rrethuara me zinxhirë të verdhë për të nxjerrë në pah vlerat monumentale të saj. Pse jo banesat brenda të ishin të mbuluara me tjegulla të kuqe. Kalaja duhej të harmonizohej në vazhdimësi me ndërtesat dhe rrugët rreth saj. Objektiv i planit rregullues ishte dhe rregullimi i qendrës politike administrative pranë bashkisë (1926) dhe ndërtimi i qendrave të tjera rezidenciale dhe mikpritëse të qytetit.

Në kuadër të perspektivës së zhvillimit, që u trajtua në vitin 1942 kapitulli dedikuar turizmit dhe burimeve artizanale merr një rëndësi të veçantë. Ky debat përqendrohet në një lidhje të rëndësishme: arkeologji-artizanat dhe estetikë urbane. Për projektuesin Ivo Lmbertini, që është edhe hartuesi kryesor i projektit urbanistik të Elbasanit: “Elbasani nuk ka ndonjë interes të veçantë turistik, pasi nuk kishte shumë monumente dhe vepra arti të rëndësisë së veçantë (një pjesë e tyre ishin prishur gjatë viteve 1920-30) megjithatë ai hipotezonte disa ndërhyrje në drejtim te vlerësimit të disa potencialeve që kanë të bëjnë me turizmin. Në vend të parë futja në muze e gjetjeve arkeologjike, vlerësimi i elementeve terapeutike dhe hotelerisë në burimet termale të Llixhës, rivlerësimi i aktiviteteve të lidhura me artizanatin, ruajtja e disa ndërtimeve të periudhës osmane dhe në fund qyteti të organizohej si një organizim fizik dhe funksional. Kjo përmbajtje ishte plani perspektiv i qytetit. Për sa i përket qytetit ekzistues, inxhinieri Lmbertini planifikonte të vinte ne zbatim një ndërhyrje për të çliruar kalanë nga ndërtimet rreth e qark, ndërtimi i lulishteve dhe rrugëve të gjera të kalimit pranë saj. Ai parashikonte edhe rregullimin e pjesës së brendshme të kalasë (një pjesë e ndërtimeve në kala janë të asaj kohe). Pra, siç shihet italianët u përpoqën të ruajnë trashëgiminë por edhe t’i japin një frymë të re evropiane qytetit. Por e veçanta për të dy periudhat është se u ruajtën objektet e kultit islam dhe kristian dhe disa ndërtime të rëndësishme si banesa e Sejdinëve, Aqif Pashës, Vërlacit, hamamet, pazari dhe ndonjë objekt tjetër në qytet, që i përkisnin periudhës osmane dhe paraqisnin vlera historike dhe arkitektonike. Në periudhën e komunizmit 1945-1990, u bënë përpjekje nga organet kompetente që Kalaja të ruhej në përmbajtjen e saj. Me shumë vështirësi mund të bëhej ndonjë ndërtim dhe duke zbatuar me përpikëri rregullat urbanistike. Pas viteve 1990 si çdo gjë edhe Kalaja simbol i Elbasanit nuk shpëtoi nga ndërtimet pa leje, shpeshherë duke mos iu përmbajtur rregullave urbanistike, por gjithsesi ka akoma mundësi për të shpëtuar atë që ka mbetur e padëmtuar.

Në përfundim do të sugjeroja që rivitalizimi i kalasë, e cila përfaqëson historinë dhe kulturën e qytetit, të bëhet duke pasur si objektiv të tregojë sa më mirë historinë në periudha të ndryshme siç ajo përfaqëson, por, njëkohësisht dhe mendësinë e re të banorëve të saj në kohën që po jetojnë. Kalaja është përfaqësuese e identitetit të qytetit të Elbasanit dhe mendësisë në ndryshim./Gazeta Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu