
Një burrë dhe grua kanë humbur jetën tragjikisht pasi u bllokuan brenda një dhome sauna private që u përfshi nga flakët në Tokio. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në ambientet e Sauna Tiger, në lagjen Akasaka të kryeqytetit japonez, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë.
Sipas mediave lokale, policia e Tokios po verifikon nëse një dorezë e dëmtuar dere ka penguar çiftin të dilte nga dhoma e saunës. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se sistemi i alarmit emergjent ishte i çaktivizuar, dyshohet prej rreth dy vitesh.
Viktimat janë identifikuar si Yoko Matsuda, 37 vjeçe, artiste e thonjve, dhe bashkëshorti i saj Masanari Matsuda, 36 vjeç, pronar i një salloni bukurie. Shërbimet zjarrfikëse u njoftuan rreth orës 12:25 me orën lokale, pasi alarmi i përgjithshëm i objektit u aktivizua. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, doreza e derës së saunës u gjet e shkëputur në dysheme.
Çifti u gjet i shtrirë pa ndjenja në dysheme, pranë derës, me shenja se kishin tentuar të dilnin. Ata u transportuan me urgjencë në spital, por më pas ndërruan jetë.
Sipas policisë, brenda saunës u gjet edhe një peshqir i djegur, çka ka ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar nga kontakti i peshqirit me gurët e nxehtë të saunës. Dhoma kishte të instaluar një buton alarmi për raste emergjente, por hetuesit konstatuan se ai ishte i çaktivizuar. Megjithatë, mbulesa e alarmit ishte hequr, duke sugjeruar se viktimat mund të kenë tentuar ta përdornin për të kërkuar ndihmë.
Autoritetet shëndetësore lokale thanë se sauna kishte qenë në funksion që prej korrikut 2022 dhe ishte inspektuar për herë të fundit në prill 2023, pa u konstatuar mangësi serioze në pajisje. Megjithatë, rasti ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë në saunat private, të cilat janë gjithnjë e më popullore në Japoni.
Në një reagim zyrtar, Sauna Tiger shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave dhe deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me hetimet. Objekti është mbyllur përkohësisht, ndërsa klientëve u është ofruar rimbursim për rezervimet e anuluara.
Ngjarja vjen në një kohë kur në Japoni është vënë re një rritje e incidenteve të lidhura me përdorimin e saunave, duke nxitur thirrje për rregullim dhe kontrolle më të rrepta të sigurisë në këtë sektor.






