Arsenali konfirmoi formën e shkëlqyer në Champions League, duke marrë një fitore të madhe 3-1 në transfertë ndaj Interit në “San Siro”, në supersfidën e raundit të shtatë të kompeticionit europian.

Skuadra e Mikel Artetës e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe gjeti golin e avantazhit që në minutën e 10-të. Një aksion i ndërtuar nga krahu i djathtë u finalizua nga Jurrien Timber, me topin që u devijua lehtë nga Gabriel Jesus përpara se të përfundonte në rrjetë. Reagimi i Interit ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 18-të Petar Suçiç barazoi shifrat me një goditje të fuqishme nga distanca.

“Topçinjtë” rikthyen avantazhin në minutën e 31-të, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Bukayo Saka. Leandro Trossard shërbeu saktë me kokë për Gabriel Jesus, i cili mposhti për herë të dytë portierin Yann Sommer. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Arsenalit.

Në fraksionin e dytë, Interi u përpoq të shtonte presionin, por ishte Arsenali që goditi në momentin vendimtar. Viktor Gyökeres, i futur nga stoli, vulosi fitoren në minutën e 83-të me një kundërsulm të shpejtë dhe një goditje të fortë nga jashtë zone.

Ndërkohë, në Londër, Tottenham siguroi një fitore të qetë 2-0 ndaj Borussia Dortmund. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 15-të me Cristian Romero, ndërsa situata për gjermanët u komplikua më tej pas kartonit të kuq të Daniel Svensson në minutën e 24-t. Dominic Solanke shënoi golin e dytë për Spurs në minutën e 38-të, duke mbyllur përfundimisht ndeshjen.

Surpriza më e madhe e mbrëmjes erdhi nga Lisbona, ku Sporting mposhti PSG-në me rezultatin 2-1. Portugezët kaluan në avantazh në minutën e 74-t me Luis Javier Suarez, ndërsa parizienët barazuan përkohësisht me Khvicha Kvaratskhelian. Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, ishte sërish Suarez që realizoi golin e fitores në minutat shtesë, duke i dhënë Sportingut një triumf historik ndaj kampionëve në fuqi të Europës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu