Reagimet pas largimeve politike zakonisht ndahen në dy kategori: falënderime të shkurtra protokollare ose shpërthime emocionale që tregojnë zhgënjim.

Por teksti i sotëm i Elisa Spiropalit nuk i përket asnjërës kategori. Qëndrimi i saj sot ishte një reagim i ndërtuar me shumë kujdes, pothuaj si një ese politiko-filozofike, ku çdo fjali duket e menduar për të thënë më shumë sesa lejon forma apo çe do zakoni.

Në pamje të parë, kemi një pranim elegant të vendimit të beftë të Ramës. Fjalia hyrëse “Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim” është një formulim që shmang çdo dramë personale dhe e zhvendos fokusin nga posti te vazhdimësia. Por pikërisht këtu nis nënteksti. Sepse, Spiropali nuk flet si një ish-ministre që largohet, por si një aktore politike që refuzon të konsiderohet kapitull i mbyllur. E ky është mesazh i fortë për këdo brenda apo jashtë shtëpisë politike.

Nga ana tjetër, në gjithë tekstin vihet re një ndarje e kujdesshme mes pushtetit formal dhe legjitimitetit moral.

Kur ajo shkruan se “funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen”, mesazhi është i qartë për këdo që lexon politikën përtej fjalëve: posti është produkt i vendimit të liderit, ndërsa pesha politike nuk varet prej tij. Është një mënyrë elegante për të pranuar shkarkimin pa e pranuar si gjykim ndaj vlerës së saj.

Pika më domethënëse e reagimit është ndoshta fjalia: “mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.” Në gjuhën diplomatike kjo tingëllon si falënderim, por në gjuhën politike është vendosje kufiri.

Spiropali falënderon kryeministrin dhe Partinë Socialiste, por njëkohësisht refuzon çdo interpretim që mirënjohja nënkupton varësi personale. Pra, është një deklaratë autonomie e shitur si mirësjellje.

Teksti ndërton gjithashtu një vetëportretizim të qëllimshëm. Referencat ndaj orientimit perëndimor të Shqipërisë, NATO-s, Bashkimit Europian apo figurave si De Gasperi dhe Schuman nuk janë zbukurime akademike, por e zhvendosin autoren nga niveli i një ministreje të rotacionit qeveritar drejt figurës së një politikaneje që e sheh veten pjesë të një narrative historike më të gjerë. Në këtë mënyrë, largimi nga detyra relativizohet: postet janë kalimtare, ndërsa projekti politik mbetet.

Në disa pjesë, pakënaqësia bëhet e lexueshme, por kurrë e shpallur. Kur ajo thekson se ka zgjedhur të jetë “zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë”, fjalia tingëllon si deklaratë që flet për parimin, por leximi politik tregon sinjalim që autonomia personale ka qenë pjesë e identitetit të saj politik dhe ndoshta edhe arsye e tensioneve të padukshme.

Edhe raporti me Partinë Socialiste trajtohet me një ekuilibër të kujdesshëm. Spiropali flet për besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, duke diferencuar besnikërinë ideologjike nga bindja personale ndaj individëve. Kjo politikisht është një formulë që ruan disiplinën partiake pa hequr dorë nga individualiteti politik.

Fjala që përsëritet më shpesh në tekst është “dinjiteti” dhe kjo nuk është rastësi. Në politikë, insistimi mbi dinjitetin zakonisht shfaqet kur një aktor ndjen se është larguar pa konflikt të hapur, por jo pa rezervë personale. Spiropali zgjedh të mos polemizojë, duke preferuar një strategji më të vjetër dhe më efektive, pra ta lërë kohën të gjykojë.

Kur Spiropali thotë se figurat që mbeten janë ato që “nuk relativizojnë karakterin”, ajo nënkupton se pushteti mund të jetë i përkohshëm, por integriteti nuk negociohet ndaj ajo ka një mënyrë elegante për të thënë se largimi i saj nuk lidhet me mungesë parimesh nga ana e saj.

Ai në nëntekst, është edhe një mesazh indirekt se në politikë ka momente kur ruajtja e karakterit vlen më shumë sesa mbajtja e postit.

Fundi i reagimit thotë “përfundimi i një detyre nuk është tërheqje.”

Kjo nuk është thjesht reflektim personal por deklaratë politike për të ardhmen. Ajo nuk po mbyll një kapitull, por po pozicionohet për fazën tjetër.

Në thelb, reagimi i Elisa Spiropalit është një tekst i balancuar mes mirënjohjes dhe vetëafirmimit. Ai respekton hierarkinë politike pa e absolutizuar atë, pranon vendimin pa e internalizuar si humbje dhe, mbi të gjitha, transmeton një mesazh të qartë për këdo që di të lexojë politikën mes rreshtave, pasi sipas saj postet janë të përkohshme, por identiteti politik synon të mbetet.

Në një kulturë politike ku largimet shpesh shoqërohen me heshtje ose përplasje, ky reagim përfaqëson një formë tjetër, dinjitetin si strategji politike. Lexo.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu