Në mesazhin e tij të parë të Krishtlindjes pas zgjedhjes në krye të Kishës Katolike, Papa Leone XIV ka dënuar ashpër vuajtjet e civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, duke theksuar se mijëra familje janë të detyruara të strehohen në tenda, të ekspozuara ndaj “shiut, erës dhe të ftohtit”.

Sipas CNN, Papa Leone XIV e dha mesazhin tradicional “Urbi et Orbi” nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, duke e përshkruar botën si të përfshirë nga konflikte të shumta, nga Lindja e Mesme deri në Ukrainë, dhe duke bërë thirrje për mëshirë, dialog dhe paqe.

“Si mund të mos mendojmë për tendat në Gaza, të ekspozuara për javë të tëra ndaj shiut, erës dhe të ftohtit”, u shpreh Papa gjatë meshës së Krishtlindjes, duke shtuar se Jezusi “u bë njeri dhe mori mbi vete brishtësinë tonë”, duke u identifikuar me ata “që nuk kanë më asgjë dhe që kanë humbur gjithçka”.

CNN thekson se më shumë se 400 mijë banesa janë shkatërruar gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit, duke i detyruar banorët e Gazës të zgjedhin mes jetesës në tenda të improvizuara ose strehimit në ndërtesa të dëmtuara që rrezikojnë të shemben në çdo moment.

Në mesazhin e tij, Papa Leone XIV bëri thirrje gjithashtu për ndaljen e armëve në Ukrainë, duke u lutur për “popullin e munduar ukrainas” dhe për guximin e palëve që të angazhohen në dialog të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. “Le të pushojë zhurma e armëve”, tha ai, duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare për paqe.

Papa, i pari me origjinë amerikane, përcolli urime në disa gjuhë dhe shprehu solidaritet edhe me refugjatët dhe emigrantët që largohen nga vendet e tyre në kërkim të një jete më të mirë në Europë dhe në Amerikë. Ai theksoi se Krishtlindja është një thirrje universale për dashuri, pajtim dhe refuzim të dhunës.

Mesazhi i Krishtlindjes së Papa Leone XIV vjen në një moment tensionesh të larta globale dhe, sipas CNN, shënon vazhdimësinë e rolit të Vatikanit si zë moral për paqen dhe mbrojtjen e civilëve në zonat e konfliktit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu