Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është shpallur fajtor nga juria në një gjykatë në qytetin e Nju Jorkut për të 34 akuzat që kanë të bëjnë me falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij para zgjedhjeve presidencial të vitit 2016, me qëllim që t’i fshehë pagesat e bëra për një aktore të pornografisë shkruan Radio Europa e Lirë.
Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë arritën vendimin më 30 maj, pesë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që Trump të përballet me presidentin aktual demokrat, Joe Biden.
Trump ishte akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit për 34 akuza penale për krime shtetërore, duke përfshirë falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqeve për të fshehur një pagesë prej 130.000 dollarësh për Stormy Daniels, me qëllim që të blejë heshtjen e saj lidhur me marrëdhënien e tyre të supozuar seksuale më 2006. Trump është i martuar me Melanie Trump që nga viti 2005.
Daniels u përpoq të bënte publike lidhjen e saj të supozuar me Trumpin një muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2016, një histori që mund të kishte dëmtuar garën e kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë. Avokati personal i Trumpit, Michael Cohen, i tha gjykatës se ia transferoi avokatit të Daniels 130.000 dollarë disa ditë para zgjedhjeve, me urdhër të Trumpit. Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të atij viti.
Gjykatësi i rastit, Juan Merchan, ka caktuar 11 korrikun si datë kur do të shqiptojë dënimin ndaj Trumpit. Dënimi do të varet nga disa faktorë, duke përfshirë historinë kriminale të Trumpit dhe për sa akuza është dënuar Trump, tha Brian Kalt, profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe autor i Constitutional Cliffhangers: A Legal Guide For Presidents And Their Enemies.
Dënimi mund të variojë nga një gjobë ose me kusht deri në një afat deri në katër vjetësh burgim. Megjithatë, në rastet kur të pandehurit dënohen me burgim për një krim të tillë jo të dhunshëm – që nuk është normë në shtetin e Nju Jorkut – ata zakonisht marrin një vit ose më pak.
Trump ka të ngjarë të apelojë çdo dënim dhe ky proces mund të zgjasë me vite, tha ai.
A mund të shkojë Trumpi në burg?
Në teori, Trump mund të shkojë në burg, por Kalt mendon se nuk ka gjasa të ndodhë kjo, pasi Trumpi nuk ka precedent të mëparshëm penal. Trumpi ka 30 ditë kohë që të apelojë vendimin e marrë dhe nëse ai dënohet me burgim, ai mund të kërkojë që vuajtja e dënimit të shtyhet gjatë apelimit.
A mund të kandidojë ende në zgjedhje dhe të mbajë poste publike?
Kushtetuta e SHBA-së thotë se presidenti duhet të jetë një qytetar i lindur në Shtetet e Bashkuara, të jetë së paku 35 vjeç dhe të ketë qenë rezident i Shteteve të Bashkuara për të paktën 14 vjet.
Ajo nuk e ndalon një të burgosur ose të dënuar me kusht që të kandidojë për post publik ose të bëhet president. Udhëheqësi i Partisë Socialiste, Eugene Debs, kandidoi për president në vitin 1920, ndërsa ishte në burg për kryengritje. Ai fitoi 1 milion vota.
Ndërkohë, ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, u arrestua për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe u gjobit me 150 dollarë gati një çerek shekulli përpara se të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2000.
Trump mund të betohet si president nga burgu ose nga burgu shtëpiak. Përderisa ai mund të garojë në zgjedhjet presidenciale, ai mund të ndalohet që të votojë për to.
A do ta ndihmojë apo dëmtojë dënimi kandidaturën e Trumpit?
Trump e ka përdorur gjyqin për të inkurajuar bazën e mbështetësve të tij të zjarrtë, duke pretenduar se ka një komplot politik për ta bllokuar në garën për president. Fushata e tij shënoi një rritje të donacioneve pas akuzave ndaj tij vitin e kaluar.
Kalt tha se dënimi nuk ka gjasa të ndikojë shumë votues, pasi shumica tashmë kanë opinione të forta për Trumpin.
“Unë dyshoj se ka kaq shumë mbështetës të tij që do ta shikonin një vendim të tillë dhe do të thoshin: “Oh, mirë. Kjo ndryshon gjithçka”, tha ai.
Një sondazh i ri i publikuar nga NPR/PBS NewsHour/Marist Poll mbështet pikëpamjen e Kaltit. Sipas sondazhit, 67 për qind e votuesve thanë se një vendim fajësie nuk do të ndikonte për kë do të votonin në nëntor. Ndërkohë, pothuajse aq shumë thanë se do të rriste gjasat e tyre për të votuar për Trumpin, sa ata që thanë se do të kishin më pak gjasa të votonin për kandidatin republikan.
Por, Kalt tha se në një garë të ngushtë zgjedhore ku çdo votë ka rëndësi, nuk mund të përjashtohet plotësisht roli i dënimit.
A nuk po përballet edhe Trump me raste të tjera gjyqësore?
Trump po përballet me tre gjyqe të tjera: një që ka të bëjë me keqpërdorimin e supozuar të dokumenteve të klasifikuara, një në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021, trazirat në Kongresin amerikan, dhe tjetri që lidhet me ndërhyrjen e supozuar në zgjedhje në shtetin e Xhorxhias.
Çështja gjyqësore lidhur me dokumentet e klasifikuara është shtyrë për një kohë të pacaktuar, ndërsa nisja e gjykimit për ngjarjet e 6 janarit varet nga një vendim i Gjykatës së Lartë amerikane. Kalt tha se asnjëri gjyq nuk ka të ngjarë të fillojë përpara zgjedhjeve të nëntorit 2024.