Shqipëria po përballet me një nga situatat më të rënda të përmbytjeve të viteve të fundit, si pasojë e reshjeve të dendura dhe të pandërprera të shiut. Pamje thuajse kataklizmike raportohen në disa qarqe të vendit, ku uji, rrëshqitjet e dherave dhe dalja e lumenjve nga shtrati kanë paralizuar jetën normale.

Image

Gjirokastër paraqitet zona më e goditur. Dhjetëra biznese, banesa dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 Shtatori”, ndërsa vërshimet e lumenjve dhe përrenjve kanë mbuluar rrugët me gurë dhe inerte. Aksi Gjirokastër–Tepelenë është bllokuar disa herë nga rrëshqitjet masive të dheut, duke krijuar radhë kilometrike mjetesh.

Image

Situata mbetet kritike në Durrës, ku bilanci paraprak flet për rreth 800 banesa të përmbytura dhe mbi 300 persona të evakuuar. Zona e ish-Kënetës është ende nën ujë, banorët kanë dalë në protestë, ndërsa edhe burgu i qytetit është përfshirë nga vërshimet. Në disa shkolla mësimi është pezulluar për shkak të oborreve të përmbytura.

Image

Lezhë dhe Laç janë evakuuar familje, ndërsa në Shkodër qindra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Rritje shqetësuese shënohet edhe në veriun e vendit, ku në Bashkinë Kukës dhjetëra fshatra vijojnë të jenë të izoluar për shkak të rrëshqitjeve masive dhe bllokimit të rrugëve.

Image

Alarmi hidrologjik është shtuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Vjosa, që i është afruar pikës kritike në Urën e Mifolit, si dhe nga prurjet e shtuara të Drinit dhe Bunës, që rrezikojnë përmbytje të tjera në zonat përreth.

Image

Autoritetet raportojnë se strukturat e emergjencave janë në terren në të gjithë vendin, por situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa reshje të tjera priten gjatë orëve në vijim. Qytetarët këshillohen të shmangin zonat e rrezikshme dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu