
Bitcoin po përjeton një rënie të ndjeshme, duke humbur rreth 44% të vlerës që nga kulmi i arritur në tetor dhe duke zbritur nën nivelin e 70 mijë dollarëve për herë të parë në 15 muaj.
Megjithatë, luhatje të tilla nuk janë të pazakonta për tregun e kriptovalutave, i njohur për paqëndrueshmërinë e lartë. Ajo që po habit analistët është fakti se rënia ka ndodhur në një moment kur, teorikisht, Bitcoin duhej të përfitonte nga pasiguritë globale.
Prej kohësh, mbështetësit e kriptovalutave e kanë promovuar Bitcoin si “arin digjital”, një strehë e sigurt për investitorët në periudha tensioni. Por ndryshe nga ari – i cili ka shënuar rritje rekord dhe ka kaluar mbi 5,500 dollarë për onz – Bitcoin ka humbur rreth 20% vetëm këtë vit.
Tensionet gjeopolitike, frika në tregjet financiare dhe zhvillimet e shpejta në inteligjencën artificiale kanë shtuar pasigurinë tek investitorët. Indekset e frikës në tregje kanë dhënë sinjale alarmi, duke shtyrë shumë investitorë drejt aktiveve tradicionale si ari, ndërsa kriptovalutat janë shitur.
Një tjetër faktor është rënia e investimeve institucionale dhe performanca më e dobët se sa pritej e fondeve ETF të lidhura me Bitcoin, çka ka ulur volumet e tregtimit dhe ka rritur reagimet e menjëhershme të tregtarëve individualë.
Sipas analistëve, kjo rënie ka fshirë edhe efektin pozitiv që kishte sjellë fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2024, kur premtimet për lehtësim të rregullave kishin nxitur rritjen e tregut të kriptove.
Megjithatë, historia tregon se Bitcoin ka kaluar edhe më parë kriza të thella – si pas sulmit ndaj platformës Mt. Gox në 2014, rënies 74% në vitin 2018 dhe kolapseve të viteve 2021–2022 – por është rikuperuar brenda rreth një viti e gjysmë.
Kjo ka bërë që disa ekspertë të shohin ende shenja shprese për investitorët, edhe pse paqëndrueshmëria mbetet tipari kryesor i tregut të kriptovalutave.



