Opozita nuk zgjodhi të konfrontohej me pjesëtarët e Gardës në Kuvend, ndryshe nga seancat e fundit parlamentare. Një ditë para mosbindjes civile të shtrirë në të gjithë vendin, PD vendosi në mbledhjen e grupit parlamentar të dërgonte në Kuvend vetëm deputetët e papërjashtuar. Kujtojmë që Sekretariati i Etikës ka ndëshkuar 24 deputetë demokratë me dënime që variojnë nga 40 në 60 ditë.
Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledjon Nallbati do të qëndrojnë 2 muaj jashtë seancave të Kuvendit. Edi Paloka mori dënimin më të butë, vetëm 10 ditë, ndërsa 19 të tjerët për 40 ditë nuk do të mund të ndjekin punimet e Parlamentit.
Mirëpo, situatat kaotike dhe përplasjet jashtë dyerve të Parlamentit i lanë sot vendin normalitetit, ndonëse barrierat e hekurit ishin po aty te shkallët, si tregues i gatishmërisë së atyre që ruajnë rendin brenda dhe përreth Kuvendit, për t’i paraprirë përplasjeve të mundshme./Balkanweb