
Hebrenjtë e Australisë që u sulmuan me armë zjarri në një prej plazheve më të njohur në botë po festonin ditën e parë të Hanukkah, Festa e Dritave, një nga festat më të rëndësishme të komunitetit hebraik, e cila zgjat tetë ditë dhe zakonisht festohet gjatë muajit dhjetor, sipas kalendarit hebraik.
Kjo festë përkujton një ngjarje historike që daton rreth vitit 165 para erës sonë, kur hebrenjtë rifituan kontrollin e Tempullit të Jeruzalemit pas kryengritjes kundër sundimit greko-sirian. Sipas traditës fetare, pas çlirimit ndodhi edhe mrekullia e vajit: një sasi e vogël vaji, e mjaftueshme vetëm për një ditë, mbajti të ndezur llambën e shenjtë për tetë ditë rresht.

Gjatë Hanukkah-ut, familjet hebraike ndezin çdo mbrëmje nga një qiri në menorah, shandanin me nëntë degë, shoqëruar me lutje dhe këngë tradicionale. Festa shoqërohet edhe me ushqime karakteristike të skuqura në vaj, si latkes (petulla patatesh) dhe sufganiyot (petulla të mbushura), si dhe me lojëra tradicionale për fëmijët.
Hanukkah simbolizon fitoren e dritës mbi errësirën, qëndresën, besimin dhe lirinë fetare, duke mbetur një moment reflektimi dhe bashkimi për komunitetin hebraik në mbarë botën.






