Një zjarr shkatërrues në një resort skish në jug të Zvicra ka shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit. Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë plagosur, pas shpërthimit të flakëve në orët e para të Vitit të Ri.

Zjarri ka rënë rreth orës 01:30 me orën lokale në një bar të quajtur Le Constellation, në resortin e njohur alpin Crans-Montana, në kantonin Valais. Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se në mesin e viktimave dhe të plagosurve ka shtetas të disa kombësive.

 

Image

Dhjetëra viktima dhe mbi 100 të plagosur

Policia deklaroi në një konferencë për shtyp se “disa dhjetëra persona” dyshohet se kanë humbur jetën, megjithëse numri i saktë ende nuk është konfirmuar. Ministria e Jashtme e Italisë, duke cituar policinë zvicerane, raportoi se rreth 40 persona mund të jenë viktima fatale.

Sipas autoriteteve, rreth 100 persona janë plagosur, shumica me djegie të rënda. Të plagosurit janë transportuar kryesisht në spitalin e Valais, ku njësia e kujdesit intensiv është mbushur plot. Një repart për djegiet në Milano, Itali, është vënë në dispozicion për të ndihmuar trajtimin e të plagosurve.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan 10 helikopterë, 40 ambulanca dhe rreth 150 punonjës të emergjencës. Një linjë telefonike ndihme është hapur për familjarët e shqetësuar.

Image

Nuk dyshohet për sulm

Prokurorja kryesore e rajonit, Beatrice Pilloud, theksoi se ngjarja po trajtohet si aksident zjarri dhe se “nuk ka asnjë dyshim për një sulm”. Shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende i paqartë.

Autoritetet lokale sqaruan se raportimet fillestare për një shpërthim nuk lidhen me një mjet shpërthyes. “Nuk është një detonim që shkaktoi zjarrin, por zjarri që, teksa u përhap, solli shpërthime dhe përfshirje të plotë të ambientit”, deklaroi zyrtari i sigurisë Stéphane Ganzer.

Dëshmi nga të mbijetuarit

Dy shtetase franceze, të cilat ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, thanë për mediat se panë një kameriere të vendoste qirinj feste mbi një shishe shampanje. Sipas tyre, një nga qirinjtë ishte shumë pranë tavanit prej druri, i cili mori flakë brenda pak sekondash.

Ata e përshkruan evakuimin si “jashtëzakonisht të vështirë”, për shkak të korridoreve dhe shkallëve shumë të ngushta.

 

Image

Çfarë dihet për lokalin Le Constellation

Le Constellation është një bar i madh dhe i njohur prej vitesh në Crans-Montana, me kapacitet deri në 300 persona. Ai përfshin një zonë të sipërme me ekrane televizive dhe një ambient të madh poshtë, ku zakonisht ka muzikë, vallëzim dhe festa.

Festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë ndër periudhat më të ngarkuara për resortet alpine, ndaj autoritetet dyshojnë se lokali ishte plot me vendas dhe turistë që festonin hyrjen e vitit 2026.

Hetimet për identifikimin e viktimave vijojnë dhe, sipas autoriteteve italiane, procesi mund të zgjasë javë, për shkak të gjendjes së rëndë të trupave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu