
Tiranë- Gjykata e Posaçme po zhvillon sot seancën e radhës për masakrën e Gërdecit, ku shpërthimi katastrofik i fabrikës së demontimit vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi qindra të tjerë.
I pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha” në atë kohë, deputeti republikan Fatmir Mediu, i cili prej kohësh ndodhej në SHBA dhe bëri herë pas here postime për pastrim imazhi, duke e përdorur edhe si justifikim për zvarritje proceduriale.
Por pas paralajmërimeve të gjyqtares Irena Gjoka, ai sot ka qenë i pranishëm në seancë.
Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, informon nga seanca se Mediu kundërshtoi vetë sot para gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit të SPAK Arben Kraja, ekspertizën tekniko-ushtarake.
“Mihal Deliorgji ka punuar në Gërdec për tanket, në kohën e Majkos. Shefi i shtabit i Forcave të Armatosura Luan Hoxha kishte 300 telefonata me Delijorgjin, ministri zero të tilla. Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrit të Mbrojtjes.
Sipas ligjit për buxhetin, fondet e donatorëve për demontim, konsiderohen si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes, qoftë grante, qoftë kredi. Në çdo rast tjetër, transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”, është shprehur Mediu mes të tjerash.
Seanca u shty për në datën 22 prill, ku ish-ministri do vijojë kundërshtimet e ekspertimit. Sot ai lexoi 80 faqe, nga 150 që janë në total.
Në seancat e mëparshme ish-ministri dhe avokatët e tij Ardian Visha e Henrik Ligori, i drejtuan dhjetëra pyetje ekspertëve, ndërsa këta të fundit i paraqitën përgjigjet me shkrim. Disa nga këto përgjigje po kundërshtohen nga ish-ministri.
Disa prej seancave të fundit janë shtyrë për shkak se ai ka qenë jashtë vendit dhe nëpërmjet avokatëve ishte shprehur se do i paraqiste vetë konkluzionet mbrojtëse. Edhe seanca e fundit e parashikuar e 7 prillit u shty dhe gjyqtarja Irena Gjoka paralajmëroi avokatët e deputetit që akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me atë ngjarje, se nuk do tolerojë më. Edhe SPAK ka kërkuar që të mos shtyheshin seancat pa fund,
Edhe në këtë proces po ndiqej e njëjta praktikë si me dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, bashkë me 3 të tjerë. Ky proces në seancë paraprake u shty sërish sot për të martën e ardhshme nga GJKKO, pasi mungoi avokati i Xhimi Begejas, që kishte dorëzuar raport mjekësor si i sëmurë.
Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të ishte vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi seancën e kaluar që të vazhdonte seanca në prani të mbrojtësit të tij ligjor, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën e kaluar, duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme.
Kur janë shënuar 17 vite nga masakra e Gërdecit, ky proces është ende i papërfunduar juridikisht dhe ligjërisht, teksa familjarët e viktimave dhe veçanërisht Zamira Durda, këmbëngulin për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve që urdhëruan ndërtimin e fabrikës së vdekjes në mes të një fshati të banuar.
Në seancën e kaluar ishte e pranishme edhe vetë Zamira Durda, e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet. Gruaja e cila humbi djalin e vogël, vijon të endet dyerve të drejtësisë për dënimin e përgjegjësve, me vlerësimin sipas saj të një krimi shtetëror.
Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv më 15 mars, kur ushënuan 17 vite nga masakra e Gërdecit, ajo tha se ndihet e pambrojtur në sallën e Gjykatës së Posaçme, pasi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e ka kërcënuar, dhe askush nuk ka reaguar, as SPAK e as gjyqtarja. / Shqiptarja.com