Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka hyrë në orët e fundit pa një marrëveshje politike mes partive kryesore. Takimi i tretë mes kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat konkret.

Pas takimit të zhvilluar të martën në mëngjes, Kurti u shpreh se biseda ishte zhvilluar në një atmosferë konstruktive, por pa dhënë detaje mbi diskutimet.

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do t’ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet, por do t’ju njoftojmë së shpejti”, deklaroi ai.

Pas këtij takimi, grupi parlamentar i LDK-së zhvilloi një mbledhje, ku zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, theksoi se ekzistojnë dy mundësi për zgjidhjen e situatës: një konsensus i gjerë politik për një kandidat të përbashkët ose një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Sipas Mustafës, LDK-ja nuk ka numrat për të propozuar një kandidat të vetëm, por është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje. Ai shtoi gjithashtu se përfshirja e LDK-së në qeveri nuk është në tavolinë.

“Njëra mundësi është një kandidat konsensual i mbështetur nga të gjitha partitë, ndërsa opsioni tjetër është një marrëveshje politike klasike mes pushtetit dhe LDK-së”, tha Mustafa.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së Janina Ymeri ka kritikuar qasjen e kryeministrit Kurti, duke folur për presione politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon në fillim të marsit. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e ri të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në javët e fundit janë përmendur disa emra të mundshëm për këtë post, ndërsa presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë për një mandat të dytë, edhe pse emri i saj nuk është përmendur zyrtarisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu