
Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, ka dhënë dorëheqjen pas një videoje që u bë virale në rrjet, ku ai shihej duke përqafuar shefen e burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot, gjatë koncertit të Coldplay në Boston më 16 korrik.
Pamjet u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit “Gillette”, ku ndodhej edhe “Kiss Cam”, dhe u komentuan nga vetë këngëtari Chris Martin që tha: “Ose po kanë një lidhje, ose janë shumë të turpshëm”. Videoja u përhap me shpejtësi në TikTok dhe platformat e tjera sociale, duke shkaktuar reagime të forta dhe debat publik mbi etikën në vendin e punës.
Pas videos, Astronomer nisi një hetim të brendshëm dhe vendosi të pezullojë përkohësisht nga detyra si Byron ashtu edhe Cabot. Tre ditë më vonë, bordi drejtues pranoi dorëheqjen e Byron. Në vend të tij, drejtimin e përkohshëm të kompanisë e mori bashkëthemeluesi dhe shefi i produkteve, Pete DeJoy.
Byron ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Bashkëshortja e tij çaktivizoi profilin në rrjetet sociale menjëherë pas incidentit. Ndërkohë, Kristin Cabot rezulton të ketë qenë e divorcuar. Pozicioni i saj si drejtuese e burimeve njerëzore ka ngritur shqetësime për konflikt interesi.
Astronomer, një kompani e njohur për zhvillimin e mjeteve të analizës së të dhënave në kohë reale (DataOps), ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj etikës në punë dhe profesionalizmit, pavarësisht nga rrethanat që sollën këtë dorëheqje.