Parku Olimpik, Tiranë – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat nga Parku Olimpik, dha një përditësim të plotë mbi ecurinë e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave brenda dhe jashtë vendit. Ai theksoi qartësisht se procesi po zhvillohet me transparencë dhe përputhshmëri të plotë mes të dhënave dhe dokumentacionit zgjedhor.

Diferencë minimale prej 109 votash në verifikim

Sipas Celibashit, në kutitë e votimit janë gjetur 1.462.352 fletë votimi, ndërsa 1.462.461 është numri i zgjedhësve të shënuar në procesverbalet e përpiluar nga komisionet e qendrave të votimit. Diferenca prej 109 votash është në proces verifikimi për të saktësuar nëse gabimi vjen nga përpilimi i procesverbaleve apo nga hedhja e të dhënave nga grupet e numërimit.

“Në një total prej mbi 1.4 milionë votuesish, një diferencë prej 109 është statistikisht e papërfillshme. Megjithatë, ne jemi duke e verifikuar me kujdes,” tha Celibashi.

Votat e vlefshme dhe të pavlefshme, përputhshmëri e plotë

Nga fletët e votimit të gjetura në kuti:

1.406.833 janë vota të vlefshme
55.519 janë vota të pavlefshme

Celibashi konfirmoi se ka 100% përputhshmëri mes fletëve të votimit dhe dokumentacionit administrativ.

Kutitë e parregullta

Nga procesi i vlerësimit janë identifikuar:

7 kuti të parregullta që në momentin e dorëzimit nga KQV te KZAZ
2 kuti të tjera janë cilësuar si të parregullta pas verifikimit nga KZAZ-të

Procesi i votës nga diaspora – përfundon vlerësimi i zarfeve nga Greqia

Lidhur me votat e mbërritura nga jashtë vendit, Celibashi njoftoi se:

Deri tani janë numëruar 159.921 vota të vlefshme dhe 1.666 vota të pavlefshme
Procesi për qarkun e Kukësit është drejt përfundimit, ndërsa ai për Tiranën ka përfunduar

Ai theksoi se është duke përfunduar edhe procesi i shqyrtimit dhe vlerësimit të zarfave që kishin mbërritur nga Greqia, të cilët deri dje nuk ishin hapur. Ky proces pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme dhe menjëherë më pas do të nisë numërimi për kandidatët nga listat e hapura.

Rastet kur në zarfin e mbërritur mungonte zarfi B janë shënuar në procesverbal dhe materiali përkatës është futur në kutitë e parregullta të administruara nga KQZ.

Celibashi: Garantojmë integritet të plotë – asnjë dyshim nga partitë politike

Komisioneri theksoi se çdo votë që ka mbërritur në KQZ po shqyrtohet dhe vlerësohet me kujdes, dhe garantoi integritetin e plotë të procesit:

“Ne garantojmë dhe e rikomfirmojmë këtë garanci për gjithë procesin e administrimit të dokumentacionit zgjedhor në rastet kur ai zotërohet nga KQZ. Dhe është pak por e sigurt që asnjë prej partive politike nuk ka dyshim për këtë,” u shpreh Celibashi.

Ai shtoi se është personalisht i pranishëm që prej ditës së parë të procesit dhe se çdo pretendim apo kontestim i ngritur nga subjektet zgjedhore është trajtuar sipas rregullave dhe procedurave ligjore.

“Ky proces nuk ka përfunduar. Kjo do të thotë që nëse dikush ka pretendime të tjera shtesë, ato do të shqyrtohen,” përfundoi Celibashi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu