Harrojini çantat luksoze dhe aksesorët klasikë të modës. Trendin më të ri që po pushton Gen Z këtë fundvit nuk e udhëheqin as markat e shtrenjta dhe as bizhuteritë tradicionale, por një çantë dore e vogël neon, me formë të pazakontë, e frymëzuar nga një pije alkoolike. Bëhet fjalë për BuzzBag, një linjë çantash të krijuara nga marka e njohur e koktejeve BuzzBallz, e cila është shndërruar në një fenomen kulturor mes të rinjjve.

Çanta shitet me çmimin simbolik 4.6 euro, ndërsa kompania pretendon se vlera e saj reale arrin deri në rreth 4 mijë euro. Pavarësisht kësaj, kërkesa ka qenë e jashtëzakonshme: mbi 2 mijë persona janë regjistruar në listën e pritjes, ndërkohë që vetëm tetë çanta do të hidhen në treg, duke krijuar një ndjenjë të fortë ekskluziviteti.

BuzzBallz janë bërë të famshme për formën e tyre të rrumbullakët, përmbajtjen e lartë të alkoolit (13.5%) dhe çmimin e ulët. Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ato janë kthyer në simbol stili, me mbi 35 milionë postime që i promovojnë, i komentojnë apo thjesht i ekspozojnë si pjesë e kulturës Gen Z. Në Shtetet e Bashkuara, ku marka u krijua nga një ish-mësuese, BuzzBallz janë sot produkti më i shitur me përmbajtje alkooli mbi 10%.

Suksesi financiar i kompanisë u kurorëzua vitin e kaluar, kur BuzzBallz u ble nga gjigandi i industrisë së pijeve Sazerac, në një marrëveshje që vlerësohet rreth 500 milionë dollarë. Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për estetikën e këtyre produkteve: kritikat më të shpeshta lidhen me pamjen e ekzagjeruar dhe shijet e forta. Por për Gen Z, kjo duket se është pikërisht arsyeja e suksesit të tyre.

Në të njëjtën linjë trendesh bien edhe Labubus, varëse çelësash me gëzof dhe pamje të çuditshme nga kompania kineze Pop Mart. Çmimi i tyre varion nga rreth 12 deri në 35 euro, ndërsa versionet e kufizuara janë shitur në tregun e rishitjes për më shumë se 2,300 euro. Po ashtu, lodrat prej pellushi Jellycat, të dizajnuara fillimisht për fëmijë, janë kthyer në aksesorë mode, duke gjeneruar rreth 215 milionë euro të ardhura vetëm në një vit.

Ashtu si Labubus dhe Jellycat, edhe BuzzBag është produkt i drejtpërdrejtë i marketingut viral dhe ndikimit të rrjeteve sociale. Videot e përdoruesve që shfaqin blerjet e tyre kanë luajtur rol kyç në rritjen e interesit dhe krijimin e një trendi që sfidon rregullat tradicionale të modës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu