Aktori i njohur turk me origjinë shqiptare, Can Yaman, shumë popullor edhe në Itali për rolin e tij në serialin “Sandokan”, është arrestuar dhe më pas liruar në Stamboll në kuadër të një hetimi për trafik dhe konsum të lëndëve narkotike, raportojnë mediat turke.

Sipas informacioneve zyrtare, Yaman është ndaluar gjatë një operacioni policor në nëntë klube nate në metropolin turk, ku u arrestuan disa persona të njohur të botës së showbiz-it. Aktori u ndalua së bashku me gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe aktorja Selen Gorguzel. Gjatë kontrollit, autoritetet dyshohet se i kanë gjetur doza droge për përdorim personal.

Më pas, Can Yaman është liruar pasi ka dhënë deklarimet përkatëse para hetuesve. Sipas gazetës turke Hurriyet, ndaj aktorit nuk kishte një urdhër arresti të posaçëm, por ndalimi ka ndodhur në kushtet e flagrancës, pas një “soflate” që çoi policinë në ambientin ku ai ndodhej.

Hetimi është pjesë e një operacioni më të gjerë antidrogë, që në javët e fundit ka çuar në arrestimin e mbi 20 personave të famshëm, përfshirë aktorë, influencerë, gazetarë dhe drejtues klubesh nate, edhe në qytete të tjera si Izmir, Mugla dhe Denizli.

Prokuroria e Stambollit po heton për akuzat e posedimit të drogës për përdorim personal, lehtësimit të përdorimit të narkotikëve dhe vepra të tjera të lidhura. Të arrestuarit po i nënshtrohen testeve mjeko-ligjore për të përcaktuar llojin dhe kohën e konsumit të mundshëm të substancave.

Pavarësisht lajmit, në Itali nuk ka ndryshime në programacionin televiziv: pjesëmarrja e Can Yaman në emisionin “C’è Posta per Te” mbetet e konfirmuar, pasi episodi është regjistruar para arrestimit dhe do të transmetohet sonte.

Pse policia po “godet” VIP-at në Stamboll? Detajet pas operacionit që përfshiu edhe Can Yaman

Autoritetet turke kanë ndërmarrë prej disa muajsh një operacion të gjerë antidrogë, i cili në javët e fundit është fokusuar drejtpërdrejt edhe te VIP-at e botës së artit, medias dhe rrjeteve sociale në Stamboll. Rasti i fundit, që përfshiu edhe aktorin e njohur Can Yaman, nuk është i izoluar, por pjesë e një hetimi shumë më të madh.

Një hetim i nisur në heshtje

Sipas mediave turke, hetimi ka nisur që në vjeshtën e vitit 2025, fillimisht me testime mjeko-ligjore diskrete ndaj personazheve të njohur, për të verifikuar përdorimin e substancave narkotike. Në fazën e dytë, prokuroria ka kaluar në bastisje, kontrolle ambientesh dhe ndalime në flagrancë, sidomos në klube nate luksoze, hotele dhe ambiente private të frekuentuara nga VIP-a.

Qëllimi zyrtar i autoriteteve është çmontimi i një rrjeti të fshehtë të përdorimit dhe shpërndarjes së drogës brenda rretheve elitare, që sipas prokurorisë “kanë ndikim të madh shoqëror dhe mediatik”.

Pse VIP-at janë në shënjestër

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se policia synon të godasë atë që quhet “normalizimi i drogës në jetën mondane”, ku figura të njohura dyshohet se jo vetëm konsumojnë substanca, por edhe lehtësojnë përdorimin e tyre duke ofruar ambiente, kontakte apo mbulim social.

Sipas këtij këndvështrimi, arrestimet dhe publikimi i rasteve të famshme shërbejnë edhe si mesazh parandalues për opinionin publik, veçanërisht për të rinjtë.

Detajet pikante nga operacioni

– Operacionet janë zhvilluar kryesisht pas mesnate, në nëntë klube nate të njohura të Stambollit
– Janë sekuestruar kokainë, kanabis, pilula narkotike dhe substanca në formë liquide
– Disa të ndaluar janë liruar brenda pak orësh, pasi kanë bashkëpunuar me autoritetet
– Në disa ambiente është dyshuar për ekzistencën e dhomave të fshehta, ku dyshohet se janë realizuar regjistrime komprometuese, potencialisht për shantazh
– Hetimi ka zbuluar se në disa raste nuk ka pasur urdhër arresti paraprak, por ndalimet janë bërë në kushtet e flagrancës, pas informacioneve të ardhura nga “soflata”

Rasti Can Yaman

Can Yaman është ndaluar gjatë një kontrolli në një hotel luksoz në zonën Bebek. Sipas mediave turke, ndaj tij nuk kishte mandat arresti të posaçëm, por ndalimi ka ardhur pas një sinjalizimi se aktori mund të kishte me vete substanca narkotike për përdorim personal.

Pas deklarimeve para hetuesve, Yaman është liruar, ndërsa hetimi ndaj tij vijon në gjendje të lirë. Autoritetet theksojnë se arrestimi nuk përbën dënim, por pjesë të procedurës hetimore.

Një valë arrestimesh, jo një rast i vetëm

Në të njëjtin hetim janë përfshirë aktorë, influencerë, gazetarë, prezantues televizivë dhe pronarë lokalesh, jo vetëm në Stamboll, por edhe në qytete të tjera si Izmir, Mugla dhe Denizli. Disa prej tyre dyshohen për përdorim personal, të tjerë për lehtësim apo ndërmjetësim në përdorimin e drogës.

Debat dhe dyshime

Ndërsa autoritetet flasin për zbatim të ligjit, një pjesë e opinionit publik dhe analistëve mediatikë në Turqi e shohin këtë fushatë edhe si operacion me ndikim social dhe politik, që synon të vendosë nën presion figurat publike dhe elitën kulturore.

Hetimi mbetet i hapur dhe pritet të sjellë arrestime apo zhvillime të tjera në ditët në vijim.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu