
Shqipëria ka mbyllur me sukses të jashtëzakonshëm Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes për të rritur, zhvilluar dje në Durrës, ku dy shtangistët shtërmenas, Briken Calja dhe Ertjan Kofsha, u kurorëzuan me nga tri medalje ari, duke vendosur edhe rekorde të reja ballkanike.
Triumfi i Briken Caljes: 3 herë ari dhe 3 rekorde të reja
Në kategorinë 79 kg, ku konkurruan vetëm tre sportistë, dueli kryesor ishte mes dy emrave të mëdhenj të peshëngritjes shqiptare: Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Përballja u shndërrua në një garë kontrolli mes dy kampionëve, por Calja shkëlqeu, duke lënë pas dëmtimet dhe duke u rikthyer fuqishëm në pedanë.
Rezultatet e Caljes:
- Shkëputje: 150 kg – Medalje ari
- Shtytje: 185 kg – Medalje ari
- Dygarësh: 335 kg – Medalje ari
Me këto prova, ai vendosi tre rekorde të reja ballkanike në kategorinë e tij.
Qerimaj këtë herë nuk arriti të klasifikohej, pasi dështoi të gjitha provat, ndërsa vendi i dytë shkoi për turkun Ramazan Zeydanli.
Pas fitores, Calja u shpreh për “Panorama Sport”:
“Jam i kënaqur dhe i gëzuar që arrita një rezultat shumë të mirë. Pas dëmtimit u riktheva më i fortë dhe thyeva tre rekorde. Do të vazhdoj punën, sepse gara edhe më të forta na presin.”
Ertjan Kofsha, kampion i ri me tripletë ari
Edhe një tjetër talent i shtangës shqiptare, Ertjan Kofsha, la gjurmë të mëdha në kategorinë 94 kg, ku konkuronin gjithsej tre sportistë. Ai fitoi tre medalje ari dhe vendosi rekorde të reja, duke ndjekur rrugën e kampionëve të akademisë shtërmenase të trajnerit Leonard Toska.
Rezultatet e Kofshës:
- Shkëputje: 165 kg – Ari
- Shtytje: 193 kg – Ari
- Dygarësh: 358 kg – Ari
Trajneri Toska u shpreh pas garës:
“Kofsha tregoi se është sportist në rritje të madhe. Jemi shumë të lumtur për këtë rezultat fantastik dhe do të vazhdojmë të punojmë për më shumë medalje. Falënderojmë Bashkinë Cërrik dhe federatën për mbështetjen.”
Ferra, bronz në +110 kg – Rezultate të tjera
I fundit për Shqipërinë konkurrroi Franko Ferra në kategorinë +110 kg, ku morën pjesë tre sportistë. Ai u rendit i treti në:
- Shkëputje
- Shtytje
- Dygarësh
Ndërkohë, në peshat 53 kg, sportistja Desjana Koni u rendit:
- e katërta në shkëputje,
- e treta në shtytje dhe dygarësh.
Sportistët Arbër Çerçizi (71 kg) dhe Julia Alihasani (58 kg) nuk arritën të klasifikoheshin, pasi dështuan të gjitha provat.
Ballkaniku mbyllet me pak pjesëmarrës
Eventi i këtij viti ra në sy edhe për faktin se shumë kategori peshash nuk arritën të plotësonin garues të mjaftueshëm as për tri vendet e podiumit. Megjithatë, rezultatet e sportistëve shqiptarë sollën një bilanc shumë pozitiv për peshëngritjen kuqezi.







