
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Demokratike, Dorian Teliti, ka folur për skenarët e protestave që opozita pritet të ndjekë në vijim, duke theksuar se objektivi mbetet largimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike.
“PD ka një objektiv, që është largimi i qeverisë aktuale dhe hapja e rrugës së qeverisjes teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme dhe për këtë objektiv do përdoren të gjithë skenarët e mundshëm të cilët janë me sfond demokratik,” u shpreh Teliti.
Ai theksoi se protesta do të jetë mjeti kryesor për arritjen e këtij qëllimi. “Do përdorim çdo mjet demokratik… ku një prej tyre dhe kryesor është protesta e qëndrueshme, e vazhdueshme,” deklaroi ai.
I pyetur për mundësinë e ngritjes së çadrave në Bulevard, në një skenar të ngjashëm me protestat e vitit 2017, Teliti u përgjigj se gjithçka do të varet nga pjesëmarrja qytetare. “Kjo varet nga masiviteti i njerëzve në Bulevard. Sa më tepër masive të jenë protestat dhe të qëndrueshme, aq më e afërt është arritja e objektivit tonë. Ngujimi është një opsion demokratik,” tha ai, duke shtuar se “sakrifica e parë duhet të vijë nga drejtuesit që ngujohen.”



