Monumenti NEWBORN Monument, simbol i shpalljes së pavarësisë së Kosovo, është rrethuar simbolikisht me gardhe metalike nga aktivistët e platformës Liria ka emër, duke krijuar imazhin e një burgu në zemër të Prishtinës.

Në rrethojat e vendosura pranë monumentit u shfaq edhe logoja e Dhomat e Specializuara të Kosovës me mbishkrimin “Kosova e burgosur”, një mesazh që sipas organizatorëve synon të shprehë pakënaqësinë ndaj proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Aktivistja Eliza Hoxha deklaroi se veprimi është një reagim qytetar ndaj asaj që e cilësojnë padrejtësi historike, duke argumentuar se gjykimet prekin themelet e shtetit dhe luftën për liri.

Sipas saj, “burgosja” simbolike e NEWBORN-it synon të pasqyrojë ndjenjën e padrejtësisë që, sipas aktivistëve, po përjetojnë qytetarët përballë këtyre proceseve.

Vetë autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka prezantuar konceptin artistik të këtij viti, duke e lidhur atë me rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Përmes një postimi publik, Ismaili renditi shtatë vlera që përfaqësojnë frymën e monumentit: Shtetësi, Qëndresë, Punë, Trimëri, Obligim, Rimëkëmbje dhe Fillime të reja. Sipas tij, këto elemente pasqyrojnë sakrificat dhe përpjekjet e Kosovës ndër vite, si dhe vizionin për të ardhmen.

Koncepti i këtij viti i kushtohet gjithashtu aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat cilësohen si partner kyç në mbështetjen e lirisë së vendit. Mesazhi simbolik përmblidhet në dy shifra: “Kosova 18”, që shënon përvjetorin e shtetit, dhe “USA 250”, në nder të historisë dhe miqësisë mes dy vendeve.

Monumenti NEWBORN, i zbuluar në ditën e shpalljes së pavarësisë, vazhdon të transformohet çdo vit me dizajne të reja, duke reflektuar identitetin, sfidat dhe aspiratat e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu