
Një ngjarje tragjike është shënuar pasditen e sotme në Bulqizë, ku një automjet tip Nissan ka dalë nga rruga në aksin që të çon drejt zonës D të minierës, pranë Qafës së Buallit.
Sipas informacioneve paraprake, në automjet ndodheshin tre persona, të gjithë punëtorë të minierës, të cilët po ktheheshin nga puna kur makina doli nga rruga dhe përfundoi rreth 300 metra poshtë, në një terren të thepisur.
Për pasojë, dy prej pasagjerëve humbën jetën, ndërsa personi i tretë është plagosur rëndë dhe fillimisht është transportuar në spitalin e Bulqizës, e më pas është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Aksidenti u vu re nga drejtues të tjerë mjetesh që transportojnë minatorë, të cilët njoftuan menjëherë ambulancën dhe policinë.
Sipas të dhënave paraprake nga policia lokale, shkak i aksidentit dyshohet të jetë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e minatorëve në Bulqizë, ku aksidentet e tilla fatkeqe vazhdojnë të marrin jetë njerëzish që punojnë në kushte të vështira.