
Bulqiza është zgjuar sot nën reshje të dendura dëbore, të cilat kanë zbardhur zonën dhe kanë krijuar vështirësi serioze në qarkullim. Temperaturat kanë zbritur nën zero gradë, ndërsa në aksin nacional Bulqizë – Ura e Çerenecit raportohet prezencë akulli, duke e bërë lëvizjen e mjeteve të rrezikshme në disa segmente.
Policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën, pasi ngricat rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve. Ndërkohë, kompania e mirëmbajtjes rrugore është angazhuar në terren, me kërkesën për hedhjen e kripës për shmangien e akullit dhe mbajtjen e rrugës të qarkullueshme.
Situata në qarkun e Kukësit
Edhe Kukësi është përfshirë gjatë natës dhe mëngjesit nga reshje bore e shiu me intensitet mesatar, kryesisht në zonat mbi 500 metra lartësi. Në Valbonë, trashësia e borës ka arritur deri në 10 centimetra.
Autoritetet raportojnë se subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, duke siguruar që rrugët nacionale të jenë të hapura dhe të qarkullueshme. Bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë konfirmojnë se nuk ka patur situata emergjente të lidhura me motin.
I gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç 39 abonentëve në fshatin Llugaj, Njësia Administrative Llugaj, bashkia Tropojë, ku ekipet vijojnë punën për rikthimin e furnizimit. Furnizimi me ujë të pijshëm po kryhet sipas orareve të zakonshme të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit Kukës.







