Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka paralajmëruar se pas dy vitesh do të lërë mandatin e tij në Kuvend, për t’i hapur rrugë brezit të ri të demokratëve.

Në një postim të gjatë në Facebook, Leskaj thekson se Partia Demokratike duhet të bëjë një analizë të thellë të humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, duke kërkuar reformim të strukturave dhe rikthim te parimet e Rithemelimit dhe Foltores.

“Pas dy vitesh do të lë mandatin tim për kandidatin pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj dhe për të sjellë një frymë të re në politikë. Kjo formulë e bën PD-në më të shëndetshme dhe më të fortë për të ardhmen,” – shkruan Leskaj.

Sipas tij, PD duhet të rifitojë besimin e qytetarëve përmes transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes më të gjerë të bazës në zgjedhjen e strukturave. Ai propozon që deputetët e listave të mbyllura të lënë gjysmën e mandatit, për t’u dhënë hapësirë kandidatëve pasardhës.

Leskaj gjithashtu i bën thirrje PD-së të nisë një analizë të thelluar pas raportit të OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, dëshmon për “një proces zgjedhor të manipuluar dhe të pabarabartë”.

Deputeti demokrat shprehet kundër idesë së një parlamenti me dy dhoma, duke theksuar se kjo do ta komplikonte sistemin politik shqiptar. Në vend të kësaj, ai kërkon reformë zgjedhore me lista 100% të hapura dhe zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën si kryeministër.

Në fund, Leskaj nënvizon nevojën për përfshirje të shoqërisë civile, të përndjekurve politikë dhe studentëve të Dhjetorit ‘90, si pjesë e procesit të rinovimit të PD-së.

“Ky është një moment historik për Partinë Demokratike, për të kaluar nga fjalët në veprime konkrete dhe për të ndërtuar një forcë të re politike që i shërben qytetarëve,” – përfundon ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu