Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “shembull të një budallallëku botëror” vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në podcastin e tij “Flasim”, ai deklaroi se ky vendim përbën një “rimarrje peng” të qeverisë shqiptare.

“Ministrja nuk akuzohet për korrupsion,” theksoi Rama, duke shtuar se mazhoranca do ta vazhdojë betejën kundër asaj që e quajti një situatë antidemokratike.

Sipas kreut të qeverisë, Kushtetuesja nuk gjeti forcën për të parandaluar një precedent të rrezikshëm. Ai paralajmëroi se, nëse kjo logjikë vazhdon, edhe Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga një prokuror.

Pas rreth dy muajsh e gjysmë shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti kuorumin e nevojshëm për një vendim, pasi votimi përfundoi 4 me 4. Si pasojë, u rrëzua padia e qeverisë dhe masa e pezullimit për Ballukun mbeti në fuqi. Pezullimi ishte vendosur fillimisht nga Gjykata e Posaçme në nëntor 2025.

Debati për pagat e gjyqtarëve

Rama u ndal edhe te polemikat për pagat në sistemin e drejtësisë, duke kundërshtuar idenë e rritjeve të vazhdueshme.

“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët,” tha ai, duke shtuar se reforma në drejtësi ka thyer piramidën e pagave dhe ka rritur më parë shpërblimet për këtë kategori.

Amnistia penale dhe arrestimet

Kryeministri deklaroi se projektligji për amnistinë penale synon të orientojë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangë përdorimin e panevojshëm të forcës represive të shtetit.

Ai kritikoi gjithashtu valën e arrestitimeve, duke iu referuar edhe rastit të mbetjeve të kompanisë “Kurum”, ku disa persona janë lënë në burg.

TikTok rikthehet me filtra të rinj

Sa i takon rihapjes së TikTok, Rama theksoi se vendimi nuk është një tërheqje e qeverisë, por rezultat i vendosjes së mekanizmave të rinj sigurie.

“Janë vendosur filtra të rinj mbi përmbajtjen dhe kontrolle më efektive për mbrojtjen e përdoruesve, sidomos fëmijëve,” u shpreh ai.

Në fillim të podcastit, Rama foli edhe për vizitën në Vatikan, ku tha se ka ftuar Papa Leonin XIV të vizitojë Shqipërinë në kuadër të 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si mbrojtëse e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu