
Një nënë shqiptare po përjeton momentet më të dhimbshme të jetës së saj, ndërsa kërkon ndihmën e opinionit publik për të rikthyer të birin, Anthony-n, pranë saj. Dr. Briseida Xhelaj, mjeke dhe nënë e përkushtuar, ka ngritur një apel publik të fortë, duke denoncuar atë që e quan një padrejtësi të rëndë dhe një dështim të sistemit ligjor.
Prej shtatë vitesh, Dr. Xhelaj ka pasur kujdestarinë e plotë ligjore të djalit të saj. Ajo rrëfen se e ka rritur Anthony-n me dashuri dhe stabilitet, derisa, sipas saj, një vendim i papritur dhe i padrejtë ia mori djalin, jo përmes ligjit, por përmes “korrupsionit, manipulimit dhe mizorisë”.
“Nuk jam dëgjuar. Jam injoruar. Dhe ndërkohë që unë luftoj për të drejtat e mia, Anthony po vuan emocionalisht e mendërisht, i ndarë nga e vetmja nënë që e ka dashur dhe mbrojtur”, thotë me lot në sy Dr. Xhelaj.
Apeli i saj nuk është vetëm një thirrje për ndihmë financiare, por një thirrje për ndërgjegjësim dhe drejtësi. “Kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, por një krizë e të drejtave të njeriut”, thekson ajo, ndërsa kërkon mbështetjen e komunitetit për të vazhduar betejën ligjore.
Ajo po mbledh fonde për të apeluar vendimet gjyqësore dhe për të punësuar një ekip të specializuar ligjor që mund ta ndihmojë të rikthejë të birin. Çdo kontribut financiar apo shpërndarje e këtij mesazhi, thotë ajo, është një hap më pranë ribashkimit me Anthony-n.
Dr. Xhelaj përfundon apelin e saj me një mesazh prekës: “Nëse je prind, nëse ke dashur ndonjëherë një fëmijë, nëse beson në drejtësi — qëndro me mua. Ndihmoni të sjell djalin tim në shtëpi, para se të jetë tepër vonë.”