Britania do të shtojë përpjekjet për të ndaluar rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor që lehtësojnë migrimin e paligjshëm, ka deklaruar të enjten kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, pasi njoftoi për një mori masash për të ndihmuar në reduktimin e imigrimit të paligjshëm, ka raportuar “Reuters”.

Duke humbur terren në sondazhet nga Partia Reformiste kundër imigrimit të Nigel Farageit, Starmeri është nën presion për të treguar se mund të kontrollojë edhe imigrimin legal edhe ilegal, dhe se plani i tij për të kontrolluar imigrimin e paligjshëm përmes shënjestrimit të bandave që kontrabandojnë njerëz po funksionon.

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, Starmer do të njoftojë për masa të reja për të ndaluar shtetasit shqiptarë të rikthehen në Britani pasi janë dëbuar dhe të bëjë më shumë për të eliminuar pastrimin e parave në mes dy vendeve. Britania do të dhurojë dy makineri për detektimin e falsifikimeve për të kapur ata që përdorin pasaporta false.

Ai po ashtu do të njoftojë zgjerimin e një task force të përbashkët të imigrimit për të shtuar Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Grupi veçse përfshinë Kosovën dhe Shqipërinë.

Në vitin 2022, shqiptarët ishin grupi më i madh që synonte Britaninë përmes anijeve të vogla por që nga atëherë numri ka rënë ndjeshëm, pjesërisht pas marrëveshjes për dëbim të arritur nga qeveria e kaluar.

Në imigrimin legal – i cili përfshinë shumicën e atyre që shkojnë në Britani – Starmer premtoi të hënën se do të tkurrë shumë ardhjet e reja, duke thënë se vendi rrezikoi të bëhet “ishull i të huajve” pa rregulla më të forta./Koha net

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu