
Britania e Madhe po risheh mundësinë e dërgimit të azilkërkuesve në Ballkanin Perëndimor. Propozimet aktuale janë të fokusuara në vendet që përfshin ky rajon si, Shqipëria, Serbia apo dhe Bosnjë-Hercegovina.
BBC shkruan se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë nisur të diskutojnë planin për të strehuar azilkërkuesit, të cilëve u janë refuzuar kërkesat dhe apelimet.
Sipas një burimi qeveritar cituar nga BBC, do të paguhet vendi pritës për çdo person që do të largohet.
Qendrat jashtë shtetit do t’i mundësonin qeverisë të largojë azilkërkuesit që vijnë nga vende që konsiderohen të pasigurta për ta për t’u kthyer, si Irani dhe Somalia.
Komisioni Europian paraqiti në fillim të muajit maj një propozim për vendet anëtare që të marrin si shembull marëveshjen mes Shqipërisë e Italisë duke e konsideruar si inovative për çështjen e menaxhimit të migracionit.
Vitin e kaluar, autoritetet britanike kthyen 9.151, 36% më shumë se në vitin 2023. Më shumë se 5,000 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka këtë vit.
Politikani konservator Chris Philp thotë se fakti që laburisët po shohin këtë alternativë për t’i dhënë zgjidhje problemit të emigracionit tregon se ata e kanë pasur gabim kur kundërshtuan skemën Ruanda dhe tregon se përpjekjet e tyre për të luftuar bandat kriminale kanë dështuar.
Në artikull theksohet se ngritja e qendrave jashtë Britanisë së Madhe ka të ngjarë të përballet me sfida ligjore si dhe kundërshtime të forta nga organizatat që mbrojnë të drejtat e refugjatëve.
BBC sjell si shembull Italinë ku marrëveshja me Shqipërinë është bllokuar nga gjykatat./Klan News