
Britania e Madhe nuk do t’i bashkohet për momentin nismës së presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, për shkak të shqetësimeve serioze mbi përfshirjen e mundshme të presidentit rus Vladimir Putin në këtë strukturë.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi për BBC se Mbretëria e Bashkuar ka marrë ftesë për t’u bërë pjesë e Bordit, por nuk do të jetë ndër nënshkruesit në ceremoninë e parashikuar gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Sipas saj, nisma përfaqëson një traktat ligjor me pasoja shumë më të gjera sesa qëllimi fillestar për t’i dhënë fund luftës Izrael–Hamas në Gaza.
“Ne mbështesim planin me 20 pika të presidentit Trump për Gazën dhe duam të luajmë rolin tonë në fazën e dytë të procesit të paqes, por kemi shqetësime serioze për faktin që Vladimir Putin mund të jetë pjesë e një mekanizmi që flet për paqe, ndërkohë që nuk ka dhënë asnjë shenjë reale angazhimi për paqe në Ukrainë”, u shpreh Cooper.
Presidenti Trump deklaroi në Davos se Putin ka pranuar ftesën për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, megjithëse Kremlini nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, duke bërë të ditur se është ende duke e shqyrtuar propozimin. Mbretëria e Bashkuar, një nga aleatët më të fortë të Ukrainës, e konsideron të papranueshme përfshirjen e Rusisë në një strukturë paqeruajtëse, ndërkohë që lufta në Ukrainë vijon.
Ndërkohë, disa vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Bord, përfshirë Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin, Izraelin, Katarin dhe Pakistanin. Sipas dokumentit të rrjedhur të statutit themelues, “Bordi i Paqes” parashikohet të funksionojë si një organizatë ndërkombëtare që synon promovimin e stabilitetit dhe qeverisjes ligjore në zona konflikti, duke zëvendësuar pjesërisht disa funksione të Kombeve të Bashkuara.
Statuti parashikon që Bordit t’i mjaftojnë tre shtete nënshkruese për të hyrë në fuqi, ndërsa vendet që kontribuojnë me të paktën 1 miliard dollarë do të kenë vende të përhershme. Donald Trump do të shërbejë si kryetar i Bordit, me kompetenca të gjera për emërimin e drejtuesve dhe krijimin ose shpërbërjen e strukturave vartëse.
Në bordin ekzekutiv themelues janë përfshirë figura të larta amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Deklaratat e Cooper vijnë në një moment kur marrëdhëniet SHBA–Britani janë tensionuar edhe për shkak të debatit mbi Groenlandën dhe kërcënimeve të Trump për tarifa ndaj vendeve europiane, megjithëse presidenti amerikan ka sinjalizuar një tërheqje nga këto masa.
–






