
Klodian Braho ka zhvilluar sot mbledhjen e parë zyrtare si drejtues i SPAK, në një takim me të gjithë trupën e prokurorëve që ka zgjatur rreth një orë. Gjatë mbledhjes, Braho prezantoi drejtuesit e rinj të seksioneve: Vladimir Mara si drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Dorina Bejko si shefe e Seksionit kundër Korrupsionit dhe Altin Dumani si shef i marrëdhënieve me jashtë. Braho u ka kërkuar prokurorëve hetime më efikase dhe një vëmendje të shtuar ndaj çështjeve të vjetra që ndodhen ende në shqyrtim, duke theksuar nevojën për rritjen e performancës dhe përshpejtimin e proceseve hetimore. Ai u zgjodh drejtues i SPAK muajin e kaluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke marrë 7 vota nga 11 anëtarët, ndërsa kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota dhe Elvin Gokaj një votë; Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë. Braho pason në detyrë Altin Dumanin dhe do të qëndrojë në krye të SPAK për tre vitet e ardhshme.






